Tekniku portugez Jose Mourinho mbajti një konferencë me trajnerët amerikanë të futbollit në Los Angeles, aty ku Real Madrid po kryen fazën përgatitore.
Gjatë kësaj konference ku ndërhynë edhe ndihmësit e trajnerit portugez, “Special One” foli për punën e tij të përditshme me futbollistë të mëdhenj si Cristiano Ronaldo, Karim Benzema, Iker Casillas dhe shumë të tjerë.
“Për të arritur suksesin duhet cilësi, bashkim, pasion dhe punë. Ka disa faktorë që çojnë tek triumfi dhe jo vetëm një”, shpjegoi Mourinho, citon gazeta spanjolle “AS”.
Gjithashtu trajneri luzitan u ndal edhe në sezonin e ri që pret kampionët në fuqi të Spanjës. Mourinho theksoi se objektivi kryesor i Real Madrid është Champions League.
“Këtë vit duam të fitojmë Champions dhe të mbrojmë titullin kampion. Kemi dy vite që eleminohemi në gjysmëfinale dhe kësaj radhe duam të hedhim edhe një hap tjetër për të shkuar në finalen e madhe”, deklaroi Jose Mourinho F.H