Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka folur në emisionin “Frontal”, në T7, për mbledhjen e qeverive Kosovë-Shqipëri, si dhe për zhvillimet rreth Gjykatës Speciale.

Ai ka thënë se mbledhjet e dy qeverive kanë qenë një hap i rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri.

Sipas Muratit, “shumë marrëveshje të kaluara dhe të sotme kanë pasur dhe do kenë rëndësi për cilësinë e jetës së qytetarëve tanë. Krijimi i Fondit për Luginën e Preshevës është hap i duhur që duhet të përcillet me hapa të tjerë sidomos nga Kosova në bisedimet me Serbinë”.

“Sidoqoftë ka ardhur koha që të tejkalohet niveli i bashkëpunimit vetëm përmes organizimit të mbledhjeve të përbashkëta. Mundësitë e këtyre mbledhjeve janë shteruar. Tash duhet hyrë në fazën e krijimit të mekanizmave të përbashkët shtetëror nën modelin e BE-së, Këshillit Nordik e Beneluxit. Duhet filluar ndërtimi i një administrate të përbashkët kombëtare që do merrej veç me realizimin e projekteve të përbashkëta. Kjo të jetë embrioni i administratës së ardhshme të përbashkët. Nga partneriteti strategjik të hyjmë në fazën e integrimeve të thelluara. E nga integrimet të ecim një ditë drejt bashkimit”, ka deklaruar Murati.

SHPËRNDAJE