Kryetarja e Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë për Inteligjencë (AKI), njëherësh deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, pas takimit që zhvilloi sot me inspektorin e përgjithshëm të AKI-së, Kujtim Shala ka treguar se për çfarë kanë biseduar.

Musliu përmes një konference për media ka thënë se do ta ftojnë sërish Shalën në javën e parë të korrikut për raportim në Komisionin e AKI-së.

“Kishim në raportim inspektorin e përgjithshëm të AKI-së, Kujtim Shala i cili ka marrë mandatin që 6 muaj. Inspektori ka përgjegjësi për tri fusha e që janë: inspektimi i brendshëm, auditimi dhe hetimi. Dhe për këto tri fusha e mbajtëm përgjegjës… U dakorduam që Shalën ta ftojmë në javën e parë të korrikut, për shkak se ende nuk e kanë mbyllur raportin e Auditimit.

Auditimin brenda agjencisë e bën direkt inspektori, pasi në agjenci nuk lejohet të ketë auditor të jashtëm, pra bëhet auditim i përgjithshëm dhe po ashtu auditimi specifik për pasqyrat brenda Agjencisë”, ka thënë Musliu.

Tutje, deputetja e Kuvendit nga radhët e PDK-së tha se ka qenë gjithmonë e zëshme sa i përket kushteve të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Ajo tha se është e pakënaqur me trajtimin e Policisë së Kosovës dhe se do të vazhdojë ta ngrisë këtë çështje.

“Si deputete e Kuvendit dhe si pjesë e PDK-së, ju i keni përcjell edhe seancat e kaluara ku unë kam qenë mjaft e zëshme, në drejtimin e përmirësimit të kushteve në polici, duke filluar nga morali i policit dhe kushtet tjera, paga, shujta, shtesa, sigurimet që nuk i kanë. Jam e pakënaqur me trajtimin e Policisë së Kosovës dhe do të vazhdojë ta ngrisë këtë çështje. Kam iniciuar edhe Projektligjin për pensionin e parakohshëm…Ne e kemi policinë më të vjetër në rajon”, tha ajo.

Ai shtoi se “tre policë janë kidnapuar nga shteti serbë, dy prej tyre janë 48 deri 62 vjet… e aq më tej për një ka shkuar nga pushimi mjekësor dhe sot nuk dimë asgjë për fatin e tyre. Mendoj që ngritja e kapacitete, ngritja e pagave, sigurimi, rrezikshmëria, shtesat e tjera dhe pensionimi duhet të rregullohet që të kemi një polici moderne e efikase”, tha Musliu.

Ajo po ashtu u shpreh se si kryetare e Komisionit Parlamentar të AKI-së, e ka paraqitur këtë rrezik dhe këtë situatë në të cilën gjendet sot Kosova.

“Si komision parlamentar, e kam paraqitur rrezikun që do të vijmë në këtë gjendje, gjithmonë duke iu referuar fakteve dhe argumenteve e raportimeve që i kemi pas nga terreni. Vet Agjencia nuk ka rol ekzekutiv, ata mbledhin informata e informojmë kryeministrinë, presidenten për gjendjen e sigurisë kombëtare. Ne e kemi paralajmërua që grupe të ndryshme kriminale po trajnohen në Rashkë për destabilizimin e veriut..Ne e kemi kryer punë tonë si Komision në fazën që po flasim. Qeveria nuk e ka marrë informata nga ne, por nga drejtori i AKI-së, që është ekskluzivitet i tij që t’i raportojë kryeministrit dhe presidentes. E, se sa i ka shfrytëzuar, ose se sa i ka përdorë nuk më bie mua të komentojë”, u shpreh Musliu.

SHPËRNDAJE