Komuna e Besianës, të dielën e ardhshme pritet të ketë zgjedhjet e saja për kryetar komune.

Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia Covid19, kësaj rradhe është zhvilluar një fushatë ndryshe nga herat tjera, por që në fakt u ka dhënë mundësi shtabeve zgjedhore, por edhe vetë kandidatëve për kryetarë që të jenë në grupe më të vogla, e që ka ndikur që të jenë edhe më afër problemeve dhe brengave të qytetarëve.

Në një intervistë të shkurtër për “Presheva Jonë”, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, z. Naim Fetahu ka folur për disponimin e qytetarëve llapjan në këto zgjedhje, ku ai ka shprehur bindjen e tij të thellë se do ta fitojë këtë garë.

Z. Fetahu ndër të tjera ka treguar se mos përkushtimi i qeverisjeve të kaluara ndaj qytetarit llapjan, sidomos në shëndetësi dhe infrastrukturë, janë argumentet më të fuqishme se këtu ka nevoj për ndryshim dhe se alternativa më e mirë është PDK dhe oferta e sajë, e cila do të jetë e gjitha në shërbim të mirëqenies së qytetarit, e sidomos të rinjëve.

Besianë, 23 nëntor

Presheva Jonë”: z. Fetahu, javën e ardhshme në Komunën e Besianës pritet të mbahen zgjedhje për të parin e kësaj komune, ku ju do të jeni kandidati nga PDK, a mund të na rendisni ju lutem disa arsye pse duhet të kemi ndërrim të pushtetit në komunën tuaj dhe pse pikërisht PDK është alternativa më e mirë për qytetarët e Besianës?

Fetahu: Lista është jashtëzakonisht e gjatë pse duhet të kemi ndërrim të pushtetit, por po mundohem që të radhis disa. Le të fillojmë nga e para: Shëndetësia dhe spitali i qytetit. Ka 20 vjet që një ndër komunat më të mëdha në Kosovë me territor nuk ka spital funksional, e që e kemi vuajtur shumë tani gjatë pandemisë, përkundër faktit që ministrinë e shëndetësisë më së shumti e ka udhëhequr LDK-ja. Ju e keni parë ministrin tonë të shëndetësisë, Uran Ismaili, për reformat që i ka bërë në shëndetësinë në kosovare. Ai edhe sot përmendet si ministri më i mirë i të gjitha kohërave, prandaj ai model do të aplikohej edhe në Podujevë për të mbrojtur qytetarët tanë nga varfërimi si rezultat i shpenzimeve për shërbime private shëndetsore.

Ekipi për shëndetësi i kampit të z. Fetahu.

E dyta, ekonomia dhe punësimi. Komuna e Podujevës i ka përzënë biznesmenët nga qyteti ynë, e cila ka reflektuar me rritjen e papunësisë. Ne do t’i kthejmë ata dhe do t’i bëjmë partner të rilindjes së qytetit. Jo më mirë është edhe arsimi. Përkundër qeverisjes 20 vjecare nga LDK-ja, Podujeva ende ka shkolla që nuk kanë ujë dhe objekte përcjellëse sportive. Këto janë vetëm disa nga arsyet pse unë kam zgjedhur që të kandidoj për kryetar të kësaj komune. Sepse llapjanët meritojnë një jetë më të mirë.

“Presheva Jonë”: Kryetar, qytetarët e Komunës së Besianës, për tu lidhur me pjesën tjetër të Kosovës e kanë vetëm një drejtim, atë përmes magjistrales Besianë-Prishtinë, e cila dorën në zemër, sot është rruga e turpit për Kosovën. Nuk ekziston një magjistrale tjetër në Kosovë me dendësi aq të lartë të qarkullimit. Pse mendoni se llapjanët nuk kanë autostradë edhe pas 20 vjet liri, kur e dijmë se disa mandate, qytetarët e Besianës e kanë pasur kryetar, njeriun i cili ka qenë jo pak i rëndësishëm edhe në subjektin e tij, i cili edhe ka udhëhequr me Kosovën?

Fetahu: E thatë shumë mirë në pyetjen tuaj. Ky është si turpi më i madh i (keq) qeverisjes së LDK-së në këtë komunë. Një rrugë që në kushte normale do të donte 20 minuta, bëhet për 1 orë. Por, cka është më e keqja, dhjetëra aksidente me fatalitet ndodhin si pasojë e kësaj magjistrale të prishur dhe mbajtur keq. Kjo do të ndryshoj edhe për Podujevën kur unë të vij në krye të kësaj komune. Podujeva do të ketë autostradën e vet moderne që e lidhë me Prishtinën dhe për këtë kam mbështetjen edhe të nivelit qëndror.

“Presheva Jonë”: Gjatë luftës, ZOLL ka qenë njëra ndër zonat më të organizuara të luftës së UÇK-së, ndërkohë, pas luftës PDK ka përquar më me përgjegjësi dhe kompetencë vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, megjithëkëtë, qytetarët llapjan sikur nuk e kanë vlerësuar mjaftushëm këtë deri sot. A ka vend për hatërmbetje mes jush dhe qytetarëve llapjan? A mendoni se kësaj here do të reflektojnë qytetarët ne Besianë, sidomos të rinjët?

Fetahu: Absolutisht Jo. Nuk ka kurrfarë hatërmbetje sepse ne e dimë që të gjitha familjet që kanë pasur dikë në luftën e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës kanë votuar gjithmonë Partinë Demokratike të Kosovës. Megjithatë, këtë herë është më ndryshe. Së bashku me familjet e dëshmorëve dhe të veteranëve të UCK-së, janë bashkuar edhe qytetarët tjerë llapjanë të cilëve u është sosur durimi me pushtetin e deritanishëm. Ata janë thellësishtë të zhgënjyer me jetën që e bëjnë sot në Podujevë e cila nuk u ofron asgjë për fëmijët e tyre. Prandaj, 29 nëntori do të jetë Dita e Ndryshimit të madh për Podujevën dhe nisja e një kapitulli të ri, me PDK-në në krye të saj.

“Presheva Jonë”: z. Fetahu, a prisni të jeni fitues i zgjedhjeve? Nëse shkoni në balotazh, a prisni përkahje nga ndonjëra prej rivaleve tuaja, si dhe nëse mbeteni jashtë balotazhit, cilin kandidat do ta përkrahnit, Nexhmi Rudarin apo Shpejtim Bulliqin?
Fetahu: Sigurisht që po. Gjatë kësaj kohe kemi pasur organizim shumë të mirë në terren dhe kemi takuar shtëpi për shtëpi qytetarët llapjanë. Disponimi i tyre është për ndryshim dhe ndryshimin e vërtetë e shohin vetëm te PDK-ja. Ju e dini që si kundërkandidat unë kam dy ish drejtor të Agim Veliut të cilët janë pikërisht përgjegjës për gjendjen e rëndë në të cilën është sot Podujeva. Prandaj, vota për ndryshim është vetëm vota për PDK-në. Ne do t’i fitojmë këto zgjedhje, me apo pa balotazh, por nëse gara mbetet në balotazh, unë iu bëjë thirrje edhe votuesve të partive të tjera që të na bashkohen sepse me ne do të mund të jenë pjesë e reformave më të mëdha që kanë ndodhur ndonjëherë në historinë e Podujevës.

SHPËRNDAJE