Naser Sherifi, një nga kandidatët për deputetë nga subjekti politik “Lista për Familjen”, ka ndarë sot me qytetarët një mesazh të qartë mbi vizionin dhe prioritetet e tij politike. Me një fokus të veçantë te familja si njësi bazë e shoqërise, Sherifi theksoi se angazhimi i tij mbetet fuqizimi i vlerave tradicionale dhe mbrojtja e interesave të familjeve shqiptare.
“Familja është thelbi i kombit tonë dhe themeli i shoqërisë. Vetëm duke mbrojtur dhe fuqizuar familjen mund të sigurojmë një tër ardhme të ndritur për brezat e ardhshëm. Ky është obligimi ynë moral dhe kombëtar,” deklaroi Sherifi.
Kandidati potencoi gjithashtu se “Lista për Familjen” do të jetë zëri i qytetarëve të zakonshëm, duke promovuar politika që mbështesin prindërit, edukimin dhe zhvillimin e mirëqenies sociale.
“Ne nuk premtojmë mrekulli, por angazhim të pakompromis për të mbrojtur ato që janë të shenjta për ne si komb: familjen, fenë dhe traditat tona të vyera,” shtoi ai.
Naser Sherifi ka një histori të gjatë të angazhimit publik dhe mbetet një nga figurat që gjithnjë ka mbrojtur vlerat dhe parimet konservatore. Me një qasje të sinqertë dhe të vendosur, ai synon të përfaqësojë denjësisht qytetarët në Kuvendin e Kosovës.