“Unë gjithëherë them me vete, po u them dhe të gazetarëve të brezit të ri që m’i ka sjellë rasti t’i kem afër, se për ne ishte fat i madh,po edhe privilegj, po edhe nderë që kishim për redaktorë pena që i bëjnë nder dhe gazetarisë shqiptare, nga të cilët mjeshtërisë dhe talentit tonë për gazetari i kemi shtuar vlerë.” ka dekalruar Nijazi Muhamedi vetaran i gazetarise shqiptare dhe publicist i njohur ne Maqedoni ne nje intervsite dhene gaztes “Koha” të Shkupit
Nijazi Muhamedi është lindur në vitin 1947 në fshatin Xhepçisht të Tetovës. Shkollimin e mesëm e ka kryer në Tetovë, kurse Fakultetin Juridik në Universitetin e Beogradit. Me gazetari ka nisur të merret që nga shkolla e mesme, duke bashkëpunuar me gazetat “Flaka e vëllazërimit,” “Zëri i rinisë” (Prishtinë), “Rilindja” (Prishtinë) etj. Ka qene lektor në “Flakën e v ëllazërimit”. Pas daljes nga “Flaka” ka qenë profesor i gjuhës shqipe në Gjimnazin e Tetovës, kurse pas dy vitesh punësohet n ë RTVM- lektor, mandej redaktor-gazetar në programin shqip si dhe zëvendësdrejtor i përgjithshëm i parë shqiptar i RTVM (1996-98) dhe prej atëherë deri në dalje në pension, ka qenë këshilltar i drejtorit të përgjithshëm. Gjer më tash ka botuar: “Fjala në shteg” (2003), “Punët e këtushme” (2006), “Vështrime në anën përballë” (2004), “Maqedonia shqiptare”(2010).
KOHA: Kujtimet e fëmijërisë janë kujtime që s’harrohen kurrë. Çka mund të veçoni nga ato vite?
MUHAMEDI: Kanë mbetur në kujtesë ca copëza palimpsestesh dhe mallëngjimesh të blerta që shkreptijnë herë-herë ndër orë kujtimesh, që kanë mbetur si peng kujtimi të një fëmijërie që ka përshkuar një kalvar të dhembshëm njerëzor, por një kalvar që ishte fat i ca brezave të popullit tonë këtu në Maqedoni, që fëmijërisë sonë i ka dhënë një shtyrje shpirtërore për ta duruar jetën dhe për ta çarë atë kah të nesërmet më njerëzore të jetës për veten e familjen, dhe për popullin që i takonim. Palimpseset e fëmijërisë sime dhe në pjesën më të madhe edhe të brezit tim, lidhen në një rrëfanë rrëfimi njerëzor mbi stinët fëmijërore – mbi pranverën që e quanim të ardhur ditën që nënat, pas larjes, na vinin kungullin e egër si rruaza për qafe që të kemi shëndenë në fëmijëri dhe për të mbajtur mend Shëngjergjin që na sillte pranverën; bredhëritjet fushave kur bleronin luadhet dhe çelnin kumbullat, duke pritur rritjen e kokrrave të tyre që i mblidhnim të papjekura “për t’u rritur sa më shpejt”; dhe tok me rritjen e barit nëpër livadhe, pritnim si në këngët popullore ardhjen e kosëtarëve kosovarë, në dy herat, pra, kur binte kosa e parë dhe kosa e dytë e luadheve, që ishin dhe kosëtarë e rapsodë, për të dëgjuar prej tyre ndonjë këngë në çifteli mbi Halit Gashin, Rexhën, e të tjera, këngë të një rapsodie kolektive që na burrëronte përballë jetës së shtypur, dhe pikëlloheshim kur ata ktheheshin në vendet e tyre, se do na mbeteshin stinët e tjera pa këngë. Ata na sillnin me ardhjen e tyre fjalën Kosovë dhe copëzat e rapsodive kosovare nëpër valë të jetës. Në fëmijërinë tonë nisën të vijnë mandej dhe ngjarje që stinëve u sollën mallëngjime të dhembshme të një drame kolektive, kur dilnim pranë hekurudhës për të pritur trenin e mbushur me njerëz nga gjaku ynë në rrugë për në Stamboll. Sikur na shtynte një mall njerëzor të ndajmë me ta mallëngjimin e dhembshur të largimit nga vatra dhe nga tufa e njerëzisë sonë, e më tepër nga tufa e fëmijërisë sonë të moshatarëve tanë, për t’u thënë me gojën tonë se nuk do t’i harronim, për të dëgjuar psherëtimat e tyre se nuk do të na harronin. Dhe u bënë vjet që u endën me joharrimin dhe harrimin ndërmjet nesh.
KOHA: A ju kujtohen momentet kur për here të parë u ulët në bankën shkollore. Kush ishin shokët, shoqet, mësuesit…?
MUHAMEDI: Një kujtim tejet i vagullt më ka mbetur dita e parë. Mbaj mend fytyrën e mësuesit të parë, quhej Reshat, që na mësoi gjer në një ditë pranvere, dhe kur një ditë na la jetim e të pikëlluar, kur mësuam nga një mësues tjetër që erdhi në vend të tij, se edhe ai ish larguar për në Anadoll. Nga shkolla jonë fillore në fshat, po ashtu heshturazi, e shkëputën dhe e çuan në Tetovë edhe një klasë fillore që mësonte “në gjuhën e tyre”, të cilën shumë vonë e mësuam se i thonë maqedonisht asaj gjuhe, se edhe baballarët tanë nuk i përmendin me emër folësit e saj, por u thoshin “këta”(kur erdhën “këta”, dhe këtë, kur u rritëm e kuptuam se kishte pasur domethënien -“kur na pushtuan këta”), po disa prej tyre jepnin shenja se kuptojnë gjuhën tonë. Shumë vonë mandej, kur punoja gazetar, i rashë në gjurmë shkakut të “shpërnguljes së beftë e në heshtje” të asaj klase, për t’i veçuar që të mos përzihen me ne shqiptarët e tyre – se disa prej atyre fatosave kish qenë shqiptarë ortodoksë nga dy familje të tilla nga fshati im dhe nga fshati Hotujë (Otunje) dhe Setolë, që janë përmbi fshatin tim, nga e ka prejardhjen edhe kompozitori shqiptar ortodoks Todor Skalloski – Tetovari, busti i të cilit është ngritur te personalitetet kulturore anës Vardarit, përkatësinë shqiptare të të cilit tok edhe për do emra të tjerë personalitetesh letrare dhe akademike të shqiptarëve ortodoksë, për herë të parë i përmenda unë publikisht edhe për opinion maqedonas, pra, e dhashë shkasin për të krisur heshtjen e tyre kur promovova librin “Maqedonia shqiptare”, dhe nga aty, bile ta them me modesti të përvuejtun, mori nisje lëvizja e shpërfaqjes publike e shqiptarisë ortodokse në Maqedoni në krye me Branko Manojlin. Edhe ditët shkollore të fëmijërisë sonë kishin një kalendar mallëngjimi njerëzor. Fundi i majit ishte që na sillte këtë mallëngjim të prekshëm, kur shoqet tona me të cilat kishim nisur mësimin në klasë të parë, mblidheshin tufa-tufa dhe këndonin këngë mbi ndarjen tonë që e sillte qershori, muaji i mbarimit të vitit shkollor dhe muaj përgjërimi në krye të çdo katër vjetëve për vajzat që do shkëputeshin nga jeta shkollore dhe do lidheshin me tjetër fat të jetës, një fat të prerë dhembshëm nga zakonet e asaj kohe në mesin e popullit tonë. Mjerisht dhe me dhembje e them si nuk iu dha dikujt që ato këngë t’i mblidhte për t’ia lënë si kujtim të paharruar historisë sonë. Ishin ato këngë, në fakt, poezi e vajzave të fëmijërisë sonë që këndoheshin asokohe në mbarim të majit në të gjitha shkollat, që shprehnin një dhembje se do ndaheshin nga shkollimi. Jo pak nga autoret e shumë këngëve të mallëngjyeshme të asaj ndarjeje me siguri do të ishin bërë zogjtë qiellor të poezisë sonë, sikundër kujtoj se do bëhen edhe ca poetesha të brezit tuaj. Ndoshta nga gjithë ato këngë të asaj kohe të fëmijërisë sonë kanë mbetur pa harruar ndonjë tufë tek vajzat e dikurshme të fëmijërisë sonë, që tash jemi bashkuar prapë në stinën e bardhë të jetës sonë. Do bënte një punë të vlertë shumë nëse dikush prej brezit tuaj të vihet në gjurmët e kësaj poezie e të bënte një panoramë të saj.
KOHA: Si ishte Tetova e rinisë suaj?
MUHAMEDI: Unë jam nga një fshat 3 km larg Tetovës, që i thonë Xhepçisht. Aty jetoj edhe tash. Po Tetovën e mbaj mend po ashtu nga fëmijëria, se katër vjetët e fundit të shkollimit tetëvjeçar i kam mbaruar në shkollën tetëvjeçare që tash i thonë “Migjeni” në Tetovë. Asokohe më tepër kam banuar në Tetovë, gjer në mbarim të shkollimit të mesëm, tek do halla të mia të lidhura shumë pas dijes e shkollimit e kulturës. Gjithë fëmijët e tyre, vajza e djem, mbaruan shkollimet në të gjitha shkallët. Kishte në shtëpitë e tyre edhe libra shqip që u kishin mbetur nga koha e Shqipërisë së Vjetër, sikundër i thonë asaj kohe të viteve 1941-44 dhe brenda rrethit të familjeve tona i lexonim me të rrallë dhe në fshehtësi të madhe .Këtë fakt e përmend edhe Arbën Xhaferi,që e kam pasur dhe shok klase, në një shkrim të tij mbi librat në tavanet e shtëpive, se edhe familja e tij ishte e afërt me këto familje. Tetova ka një histori, të themi, të thellë politike dhe kulturore, që e bën më të veçantë në këtë histori nga qytetet e tjera të gjeografisë shqiptare. Teqeja e saj bektashiane ka qenë një vatër kulture dhe kombëtarie që ka lëvizur historinë e ndërgjegjes së përshqiptarshme, si e ka përshkruar edhe frëngu Jaraj në veprën e tij kur e ka vizituar këtë teqe. Tetova e moteve të mia rinore, pra, edhe e tërë brezit tim në vitet 60 rrëzëllente një kulturë kombëtare e qytetare që sot, ne brezi ynë, e kujtojmë me mallëngjim të thellë, sepse Tetova e sotme, me dy universitete, ende nuk mund t’i afrohet asaj Tetove tonë. Kishte mbetur një substrat aktiv i asaj kulture që e kishin ngritur ndër qytetarinë tetovare “200 pëllumbat për Maqedoninë Perëndimore”, në kuptimin simbolik për “200 mësuesit e shkollave shqipe” që i kish dërguar ministri i Arsimit i Shqipërisë së Vjetër, Ernest Koliqi, një emër tejet i vlertë i kulturës shqiptare. Në krye të këtyre ka qenë edhe akademiku i ndjerë tashmë dhe studiuesi i folklorit, Qemal Haxhihasani, mandej mësues të tjerë që baballarët tanë i përmendnin me dashuri Myfit Sinojmeri, Gani Jahja, që ka themeluar Shoqërinë Kulturore “Xheladin Zeqiri”, Zydi Kajanak, nga Elbasani dhe të dy këta mandej shpërngulen për në Belgjikë, mandej Vangjel Daka, mësues i shkollës së parë shqipe në fshatin tim. Punën e tyre në lëmë të kulturës e vazhdojnë profesorët e Gjimnazit të Tetovës, rrethi intelektual i tyre në krye me shkrimtarët Murat Isaku, Nexhat Pustina, Abdylazis Islami, Mustafa Laçi, një poet rebel dhe bohem shumë njerëzor në madhninë e tij, si dhe veprimtarë të tjerë që ishin si kariatide të heshtura që rrezatonin madhninë dhe shtyrjen shpirtnore të asaj jete social-kulturore dhe artistike në Tetovë.
KOHA: Po jeta studentore, si ishte dhe çka ju kujtohet nga ajo periudhë?
MUHAMEDI: Unë kam studiuar gjuhën dhe letërsinë shqipe me letërsinë botërore si lëndë të dytë në Beograd, ku kishin studiuar dhe studionin në fakultete të ndryshme edhe shumë shqiptarë nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare nën ish-Jugosllavinë. Unë u nisa për në Beograd që të studioja gjuhën dhe letërsinë frënge, se kam qenë i shkëlqyer vetëm në këtë lëndë bashkë me shokun tim të bankës, i ndjeri Fehmi Rufati që studionte atje. Por, rrugës për në Beograd, në tren, takova një student frëng dhe nga meraku i madh se m’u dha rasti ta provoja frëngjishten time me të, nuk e lodha me bisedë. Ndërkohë, ky frëngu më pyeti se çfarë kombësie jam dhe unë i them që jam shqiptar, po ai më tha ftohtë që s’pari herë dëgjoj për shqiptarët. Kur u ndamë me të në Beograd, thash me vete, kur s’ditka ky gjë për shqiptarët, përse unë të mësoj për frengët, e jo për gjuhën e kulturën tonë, dhe zgjodha studimin e gjuhës e të letërsisë shqipe, me frëngjishten si gjuhë të dytë. Ishte Shoqata studentore shqiptare “Përpjekja” që bënte lidhninë shpirtërore dhe afrimin e studentëve shqiptare mes tyre, që realisht kish luajtur dhe vazhdonte të luajë rolin e një institucioni social-kulturor për studentët shqiptarë. Në vitin e parë akademik, 1968-1969 kam qenë dhe sekretar i saj me propozim të historianit të njohur Dr. Prof. Zekeria Canës, që u zgjodh kryetar i saj, se asokohe ishte në studime postdiplomike në Beograd. Shoqata zhvillonte aktivitete kulturale të gjalla dhe aty afroheshin gjithë që studionim në këtë kryeqytet dhe nga të gjitha fakultetet. Kishte edhe grupin letrar shumë të afirmuar Edi Shukriu, Flora Brovina, dy poetesha të sotme të afirmuara nisën të bëjnë emër nga ky grup letrar. Këto fillime poetike të tyre dhe të tjerëve, poeti Hasan Emërllahu, student i orientalistikës nga Presheva dhe unë i përmblodhëm më një panoramë poetike, të cilën e botoi revista“Zëri i rinisë”, që dilte asokohe në Prishtinë.
KOHA: Kur dhe pse vendosët të merreni me gazetari?
MUHAMEDI: Me gazetari kam nisur të merrem që nga shkolla e mesme. Kam nisur në “Flakën e Vëllazërimit” me shkrime të ndryshme në rubrika dhe faqen për fëmijë që e redaktonte gazetarja doajene e gazetarisë shqiptare, Naile Kërliu, që më ka përkrahur pa më njohur. Nisa të bashkëpunoj mandej më “Zanin e rinisë” të Prishtinës, në të rrallë me ndonjë reportazh nga Tetova dhe anët e saj në “Rilindje”. Gjatë studimeve më aktivisht kam bashkëpunuar me “Flakën”, se më bënë, si e ceka dhe më lart, korrespondent me honorar nga Beogradi dhe pagesa ishte e mirë. Mandej, në “Flakë” nisa të botoja recensione veprash dhe ese mbi letërsinë, përkthime poezie afrikane se admiroja revoltën e tyre kundër shtypjes koloniale si aluzion i shtypjes mbi jetën tonë shqiptare këtu, veçanërisht e kam admiruar dhe shqipëruar Lëngston Hjuz, përmes përkthimeve të poezive të tija që ishin bërë në frëngjisht, se anglisht nuk dija dhe nuk di sot e kësaj dite, e këtë nuk ia fali vetes. Recensionet letrare i mblodha më një vëllim të titulluar “Heshtja e paheshtur” për t’i botuar në Edicionin e “Flakës” mbas vitit 80. Dorëshkrimi u miratua për botim, doli edhe në katalogun botues për atë vit, por kur dolën botimet, shkova gjoja të marr ekzemplarët e parë, por redaktori i botimeve që tashmë është i ndjerë tha se kemi harruar fare ta botojmë, por edhe kopjet e dorëshkrimit na kanë humbur..! “Flaka” mandej më thirri në punë të rregullt, se kishin nevojë për një lektor pas miratimit të Normave drejtshkrimore të gjuhës së njësuar të vitit 1972, edhe pse me zbatimin e gjuhës së njësuar letrare ajo kishte nisur e para nga të gjitha gazetat shqipe në Kosovë dhe ky përbën një fakt shumë interesant gjuhësor dhe për historinë e kulturës shqiptare. Por, të ishe lektor në “Flakë” asokohe ku redaktorët e saj ishin njohës shumë të thellë të normave gjuhësore, të mjeshtërisë së redaktimit gjuhësor, ishte një sprovë mundimtare dhe guximtare, por edhe një rast për përvojë më të madhe. Aty ishte prof Xhevat Gega, prof Remzi Nesimi, dy emra gjuhëtarësh që kanë shkrirë mundin e përkujdesjen që shqipja e shkruar ne gazetën dhe revistat për fëmijë të jetë më e mirë se në Tiranë e në Prishtinë, mandej doajeni i gazetarisë me një ndjenjë përgjegjësie të rreptë ndaj respektit të gjuhës shqipe, Rexhep Zllatku. Ishte lektori Naxhi Osmani që njihte mrekullisht normat drejtshkrimore të shqipes dhe një daktilografe e mprehtë, Melihatja, që në shumë raste biles i korrigjonte edhe gazetarët kur i diktonin gabimisht ndonjë fjalë ose fjali, por me padashje. Asokohe “Flaka” ishte një atelie e debateve gjuhësore të përditshme dhe e praktikimit rreptësishtë të kujdesshëm të gjuhës së shkruar letrare në gazetë. Ndjehem i lumtur dhe i denjuar që kam mësuar prej tyre. Dua të shtoj, me këtë rast, se bashkëpunimi me këtë rreth redaktorësh, si gazetar më ka sjellë shumë kënaqësi profesionale. Unë gjithëherë them me vete, po u them dhe të gazetarëve të brezit të ri që m’i ka sjellë rasti t’i kem afër, se për ne ishte fat i madh,po edhe privilegj, po edhe nderë që kishim për redaktorë pena që i bëjnë nder dhe gazetarisë shqiptare, nga të cilët mjeshtërisë dhe talentit tonë për gazetari i kemi shtuar vlerë. Sa gëzim më sillte teksti im, aq gëzim më sillte edhe redaktimi i tekstit nga redaktori i madh, Rexhep Zllatku, të cilit unë i detyrohem shpirtërisht për mbështetjen e dhënë për të krijuar profilin tim prej gazetari, për mësimet e gazetarisë si dhe mjeshtërinë e redaktimit që kam marrë prej tij, e veçmas kujdesin ndaj gjuhës. Dhe, të kesh po ashtu privilegjin e rrallë që redaktor i teksteve, kur punoja në TVM te jetë prozatori brilant e i madh, Murat Isaku.
KOHA: Çfarë i ndodhi shoqërisë shqiptare (në Maqedoni) me pavarësimin e Maqedonisë dhe me fillimin e pluralizmit?
MUHAMEDI: I ndodhi ajo që thashë më sipër në pjesën më të madhe, për arsye se organizimi politik i shqiptarëve përmes subjekteve të para politike, i nisur pak me një yrysh kaotik dhe në njëfarë dore edhe jo aq autonom në veprimet politike (PPD, PDP),dhe pa ndonjë projekt të qartësuar socio-politik e demokratik dhe me stërkëmbëza të brendshme për të penguar evoluimin e mëtejshëm edhe institucional e programor të tyre,e humbën oportunitetin, rastin për të ndryshuar qartësisht dhe thelbësisht në rrafsh barabarësie statusin politiko-kushtetues të shqiptarëve në tërësinë shtetërore-juridike e konstitucionale të Maqedonisë. Nëse konteksti gjeopolitik dhe sociopolitik i asaj periode pak mund të justifikojë aktorët kryesorë të këtij rrugëtimi politik të penguar nga rrethana objektive; por,ajo që ka ndodhur pas Konfliktit të 2001, kryesisht me MO, përmes së cilës legjitimohet turpshëm një status i deformuar politiko-kushtetues minoritar i shqiptarëve në kuadrin e shtetit unitar (në fakt, nacional) maqedonas, kjo nuk do vonojë shumë gjatë pa u kuptuar ose pa u bindur shumica e madhe se gjërat përtej kësaj nuk kanë për të ndryshuar për të mirën e tërësisë shqiptarëve këtu, kurse dobinë e saj do ta shohin vetëm interesa qarqesh të caktuara biznesore e të tjera, të organizuara nëpër grumbullime politike që njihen gjer më tash dhe që mund të shtohen…
KOHA: Cila është e vërteta e Maqedonisë shqiptare dhe sa këtë të vërtetë e kanë përdorur historianët tanë?
MUHAMEDI: E vërteta e parë dhe e parrëzueshme e Maqedonisë shqiptare që legjitimohet prej librit “Maqedonia shqiptare”,si kundërvënie ndaj Enciklopedisë false maqedonase,është pohimi i legjitimitetit historik që kanë shqiptarët mbi pjesën shqiptare të kësaj toke në të cilën janë autoktonë, dhe prej këtu buron mandej legjitimiteti politik e demokratik i shqiptarëve për të qenë bashkështetformues me të drejta të njëjta me maqedonasit,pra, që burojnë nga bashkështetformësia, nëse arrihet në ujdi bashkështetformuese. Se në të drejtën ndërkombëtare, principi i autoktonisë i përkthyer në rrafsh politik e juridik thotë që “asnjë qeveri(në kuptimin pak më të gjerë-shtet) që krijohet se paku edhe një ditë më vonë prej prezencës së popullit që njihet se është vendosur më parë se ai, nuk ka legjitimitet nëse nuk ngritet mbi bazë të një ujdie, pakti bashkështëformues, pra, pa këtë ujdi mund të konsiderohet si shtet jolegjitim. Enciklopedia e falsikimeve historike maqedonase në kuptimin politik, pra, ka synuar ta legjitimojë këtë sherr të keq politik- duke i dhënë kombit maqedonas “thellësi historike” bile edhe me trashëgimi të vjedhur, pretendon ta afirmojë këtë legjitimitet të vetin gjoja, dhe ta delegjitimojë legjitimitetin historik shqiptar për të vetëvendosur ose bashkëvetëvendosur në tokën e vet. Me mohimin e legjitimitetit historik shqiptar, ata afirmojnë legjitimitetin e rremë historik “të vetin”, nëse nuk e kundërshtojnë shqiptarët, për të krijuar shtet etnik maqedonas, që edhe e kanë arritur, sepse edhe Marrëveshja e Ohrit nuk është në funksion të barabarësisë së shqiptarëve me maqedonasit, por në funksion të legjitimimit të shtetit nacional maqedonas, që lejon mëshirshëm edhe do “bashkësi etnike”të bashkëjetojnë aty. Po edhe konflikti simboliko-juridik për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë është çështje e pohimit apo mohimit të legjitimitetit historik nga njëra palë ndaj tjetrës, konflikt në të cilin shqiptarët shohin turpshëm lojën e sherrshme maqedonase mbi marrjen e tapisë së tokës shqiptare përmes zgjidhjes së këtij ‘konflikti’, dhe grabitjen e kësaj tapie, pas së cilës vuloset përhershmërisht statusi minoritar i shqiptarëve me të drejta të cunguara, ata e bëjnë duke ngatërruar gjoja se Greqia mohon ‘IDENTITETIN ETNO-KULTURAL të maqedonasve, që e njëjtësojnë me IDENTITETIN KOMBËTAR MAQEDONAS, me të cilin edhe në marrëveshjen eventuale me Greqinë, pretendojnë ta mbulojnë, në fakt ta NJËJTËSOJNË EDHE ME IDENTITETIN E SHTETIT TË TYRE KOMBËTAR. Dhe, në këtë lojë të sherrshme dëgjohen turpshëm guakjet e politikanëve të anës sonë dhe më gjerë, kur thonë që ne jemi të vetmit që pranojmë “identitetin kombëtar maqedonas”(!) , e kjo merr kuptimin ,si e dinë dhe e kuptojnë qartësisht edhe të huajt, se “ne pranojmë shtetin kombëtar të maqedonasve” dhe veten tonë si qiraxhinj të gjithmonshëm të tij. Se këndejmi, ky libër, të cilin grekët e kishin kuptuar shumë qartë dhe kjo u vërejt shumë mirë kur ish-ministri grek i punëve të jashtme u tha se ka Maqedoni greke, ka Maqedoni ta zëmë maqedonase, por ka edhe Maqedoni shqiptare, pra kemi tre identitete që rivalizojnë për legjitimitet, ndaj edhe zgjidhja e këtij konflikti nuk mund të bëhet ndërmjet dy palëve, pa shqiptarët; ose së paku nuk duhet të bëhet para se të ridefinohet kushtetuta në të cilën Maqedonisë si shtet i jepet t’i jepet identitet pluralist, domethënë, jo njëetnik, pra identitet shumënacional,ose shumëkulturor apo shumëgjuhësor dhe të definuar qartë në kushtetutë, se identiteti shtetëroro-politik shënohet në ato pllakat e gurta të Kombeve të Bashkuara, për ta ditur i kujt, i cilit popull është ai shtet, e të tjera punë që lidhen rreth kësaj problematike.
KOHA: Çfarë në fakt po bën Nijazi Muhamedi. A mund të presim ndonjë botim apo ndonjë projekt tjetër?
MUHAMEDI: Punoj intensivisht për të mbaruar historinë socio- politike të shqiptarëve në Maqedoni dhe definimin e qartë, të argumentueshëm dhe të krahasueshëm të Opsionit politik shqiptar në Maqedoni, rreth të cilit duhet ta mobilizojmë imperativisht vullnetin politik kolektiv tash e në të ardhmen dhe formulën e ristrukturimit të nënsistemit partiak të shqiptarëve, që do ta mund ta barte këtë opsion gjer në finalitetin e tij. Dua ta mbaroj dhe të dalë i botuar në mbarim të këtij viti, nëse do kem fat e shëndet dhe kushte pak më të favorshme, sepse është një projekt edhe i gjerë, por edhe i qartë e i argumentuar me hollësi, për të ndihmuar që t’i jepet fund rrokullisjes së goglave në tepsi të grumbullimeve politike të anës sonë që kësaj i thonë “politikë”./Delvina KËRLUKU