Veshjet tradicionale shqiptare përmes ekspozitës së fotografive të Shkelzen Rexhës, veshjeve të të gjitha trevave të Kosovës dhe Veriut të Shqipërisë të Bora Balaj, filmit dokumentar të Gëzim Arifit dhe revysë së modës nga Flora Balaj, janë prezantuar për një javë në qytetin suedez Boras, transmeton. Vizitorët shqiptarë e suedez u ndanë të kënaqur me paraqitjet e krijuesve gjakovarë duke i hap dyert e bashkëpunimit mes qytetit të tekstilit Boras dhe Gjakovës. Një veshje tipike e Dukagjinit i është dhuruar Muzeut të njohur të tekstilit të këtij qyteti që mban veshje që nga viti 1700. Një veshje origjinale tradicionale e zonës së Dukagjinit me lidhësa, këmishë, jelek, pshtellak para dhe prapa si dhe qorapë punuar që para 60 vitesh, i është dhuruar Muzeut të njohur të tekstilit në Boras duke begatuar akoma më tepër këtë muze të njohur. Përmes kësaj veshje është prezantuar edhe një pjesë e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve.

Ndërkaq autori i ekspozitës së fotografive Shkëlzen Rexha theksoi mikpritjen e banorëve të këtij qyteti suedez me një kulturë të lashtë dhe me një marrëdhënie të shkëlqyer me shqiptarët dhe popujt tjerë. “Ekspozita përmbante 32 fotografi të veshjeve tradicionale shqiptare që tek mërgimtarët zgjoi nostalgji dhe krenari, ndërsa tek suedezët njohuri të reja për trashëgimin kulturore të popullit tonë” theksoi Rexha. Siç u tha me këtë rast, në këto aktivitete ishte i pranishëm edhe kryetari i Këshillit Bashkiak të qytetit Borås Per-Olof Höög, i cili nderoi me dhurata organizatorët e manifestimit dhe përgjithësisht për shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë në këtë qytet. “Ai përmendi bashkëpunimin mes shkollës Fjärdingskolan nga Borås me shkollën nëntëvjeçare “Demokracia” nga qyteti i Durrësit, ndërkohë që pret një bashkëpunim edhe me komunën e Gjakovës që është e njohur me traditën për industrinë e tekstilit”, theksoi Rexha duke shtuar se ky aktivitet i zhvilluar u realizua me ftesën e komunës së Borasit dhe me organizim të Qendrës Kulturore Shqiptare ”Migjeni” të këtij qyteti në Suedi.

SHPËRNDAJE