Kosova është në krizë ekonomike, por pas pandemisë të shkaktuar nga virusi COVID-19, do të futet në një krizë edhe më të thellë, thonë ekspertë të fushës së ekonomisë.
Kosova e cila ka pasur një rritje ekonomike mesatarisht rreth 4 për qind ka qenë e pamjaftueshme për të zbutur papunësinë dhe problemet ekonomike dhe sociale.
Pas pandemisë së koronavirusit, problemet do të përkeqësohen thonë ekspertë, pasi që sipas parashikimeve edhe të Bankës Qendrore të Kosovë do të ketë një ulje të rritjes ekonomike nga -2 deri në -4 për qind.
Masat e marra deri më tani nga Qeveria e Kosovës për të ndihmuar ekonominë konsiderohen të pamjaftueshme dhe me vonesa në zbatimin e tyre.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikanë në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se struktura e Pakos Emergjente nuk shkon në drejtim të ruajtjes së sektorit privat, mbijetesës të një numri më të madh të ndërmarrjeve private dhe ruajtjes të sa më shumë vende të punës.
“Në një situatë të tillë edhe ndërhyrja dhe infuzioni financiar nga ana e shtetit duhet të jetë shumë më i madh dhe nuk duhet të ekspertimetojmë në këtë fazë. Kemi kërkuar një shumë më të madhe. Është aprovuar gati gjysma e 300 milionë që e kemi kërkuar”, thotë Zeka.
Banka Botërore në një raport të saj të publikuar gjatë kësaj jave po ashtu ka theksuar se edhe Kosova, ashtu si edhe vendet e tjera të rajonit, do të pësojë tkurrje ekonomike në vitin 2020, si pasojë e masave parandaluese ndaj koronavirusit.
Zeka: Zgjatja e pandemisë do të thellojë krizën ekonomike
Për t’i dalë në ndihmë bizneseve, përmes Pakos Emergjente e cila kap shumën e rreth 180 milionë euro, Qeveria e Kosovës ka paraparë disa masa si ndihmë për bizneset.
Disa nga këto masa kanë filluar të zbatohen, por disa nga masat që kanë të bëjnë me bizneset, thotë Zeka, kanë shumë paqartësi dhe vonesa në zbatim.
Ai kritikon institucionet e vendit për moskoordinim të duhur lidhur me masat që po merren për të ndihmuar ekonominë e vendit. Moskoordinimi i institucioneve, shton Zeka, do të ketë pasoja edhe më të mëdha në ekonomi.
“Si asnjëherë më parë vendi ka nevojë për një konsensus politik pasi që jemi në krizë. Zgjatja e pandemisë do të thellojë krizën. Mënyra se si do të përballojmë krizën dhe të dalim me sa më pak humbje pas përfundimit të pandemisë, do të varen nga veprimet e menjëhershme që duhet të merren e që mund të konkludoj që jemi vonë”, thotë Zeka.
Qeveria e Kosovës planifikon pako të dytë stimuluese
Herolinda Xhuli, shefe e kabinetit në Ministrinë e Financave dhe Transfereve, tha për Radion Evropa e Lirë se disa nga masat e pakos janë zbatuar e disa prej tyre do të fillohet gjatë ditëve në vijim.
Për të zbatuar të gjitha masat e kësaj pakoje kërkohen mjete financiare për të cilat Qeveria e Kosovës ka paraparë t’i mbulojë me grante dhe borxhe.
Xhuli sqaron se për huamarrje ndërkombëtare kërkohet aprovimi i Kuvendit të Kosovës.
“Për momentin po e shfrytëzojmë buxhetin aktual derisa të realizohet kredia. Dyfishimi i asistencës sociale është realizuar, te bizneset së shpejti këto ditë fillon aplikimi online që do të bëhet përmes sistemit të Administratës Tatimore të Kosovës pastaj fillon procesi. Ekzekutimi i pagesave bëhet në fund të muajit”, thotë ajo.
Pasi që të definohen edhe dëmet që i janë shkaktuar ekonomisë nga pandemia, Xhuli thotë se do të ketë edhe një pako tjetër stimuluese nga qeveria.
Për t’u përballur me virusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19 Bashkimi Evropian ka ndarë 68 milionë euro për Kosovën.
Sipas BE-së, 5 milionë do të shkojnë për nevoja të menjëhershëm për ta luftuar COVID-19, 50 milionë për ta përballuar krizën ekonomike si dhe 13 milionë do të transferohen në buxhet të Kosovës.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ofruar Kosovës 1.1 milion euro për luftimin e koronavirusit.
Në Kosovë rastet e parë me koronavirus janë shënuar më 13 mars.
Qeveria e Kosovës menjëherë ka marrë masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit duke bërë kufizime të aktiviteteve ekonomike.