Në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, kryetari i Nisma Socialdemokrate, z. Fatmir Limaj, ka vizituar sot Podujevën, ku së bashku me ekipin zgjedhor, shpalosi programin e partisë për këtë qytet dhe për të gjithë Kosovën.
Në takimin e mbajtur në shtabin zgjedhor të Nisma-së në Podujevë, z. Limaj theksoi rëndësinë e adresimit të problemeve të përditshme që po përballojnë qytetarët e kësaj zone, me fokus të veçantë në çështjen e pazgjidhur të rrugës Prishtinë-Podujevë.
“Problemi i rrugës Prishtinë-Podujevë është një ndër pengesat më të mëdha për qytetarët e kësaj ane. Kjo jo vetëm që vështirëson jetën e banorëve, por ndikon drejtpërdrejt edhe në zhvillimin ekonomik të qytetit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme për bizneset lokale,” theksoi z. Limaj.
Në fjalën e tij, kryetari i Nisma Socialdemokrate u shpreh se qyteti i Podujevës është shumë pranë listës fituese, falë mbështetjes së madhe që po merr partia në këtë zonë dhe në mbarë vendin. “Është koha për veprime konkrete dhe për të sjellë ndryshimin që qytetarët meritojnë. Programi ynë është i fokusuar vetëm te VEPRAT, dhe kjo është arsyeja pse ne do të fitojmë,” tha z. Limaj.
Slogani “#VeçVEPRA” është bërë sinonim i angazhimit të Nisma Socialdemokrate për t’iu përkushtuar qytetarëve dhe për të realizuar projektet që bëjnë ndryshimin në çdo komunë të Kosovës, përfshirë Podujevën.
Zgjedhjet e 9 shkurtit do të jenë një moment vendimtar për Kosovën, dhe Nisma Socialdemokrate synon të sjellë një qeverisje të përkushtuar dhe plotësisht të orientuar drejt zgjidhjes së problemeve konkrete.