Me rastin e një vjetorit të vdekjes së Njazi Kadriut, ish të burgosurit politik, veprimtarit dhe atdhetarit të devotshëm nga Kosova Lindore.
Njazi Kadriu u lind në fshatin Ramabuqë, më 28. 4. 1956 në një familje liridashëse. Jeta e vështirë në fshat, natyra e ashpër, bisedat në oda e ndeja të ndryshme që bëheshin, sidomos gjatë dimrave të gjatë e të ashpër të Malësisë, edukata në frymën atdhetare nga babai Shabani dhe nga xhaxhai Sahiti, Njaziun e kalitën para kohe e brumosën me dashuri ndaj atdheut dhe urrejtje ndaj pushtuesit, i cili kishte zaptuar tokat e Shqipërisë dhe popullin shqiptar.
Padrejtësitë që ushtronte ish Jugosllavia e më vonë Serbia, i vërente në çdo hap dhe këto e mundonin dhe nuk e lenin të qetë asnjëherë. Shpirti i tij i pastër, drejtësia që kishte në gjenet e tij, që në rini e kishin bërë revolucionar dhe gjerë në vdekje e mbajti këtë parim e qëndrim, duke qëndruar drejt, duke luftuar kundër padrejtësive, kundër pushtuesit. Lirinë e atdheut e kishte mbi të gjitha, e kishte para babait, nënës, motrës gruas e fëmijëve. Po të mos ishte kështu nuk do të ndiqej vazhdimisht nga hijet e zeza OZNO-iste e UDB-asheske, ku kishte edhe shqiptarë, nuk do të burgosej, nuk do të punonte për fuqizimin e UÇK-së, UÇPMB-së e UÇK-së në Maqedoni. Nuk do të merrej më, edhe pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, as me çështjen e pazgjidhur të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës
Po të ishte ndryshe, do të vazhdonte të punonte si mësimdhënës që kishte filluar të punojë në Zarbicë, me të cilën rrogë jetohej mirë, do të merrej edhe me ndonjë punë tjetër që do të kishte fitime tjera, me punimin e tokës, do të merrej vetëm me familjen e vet, do të shtyhej me bërryla për t’u bërë ndonjë këshilltar komunal në Bujanoc e Gjilan, apo ndonjë zyrtarë i lartë, dhe sigurisht do t’a kishte arritur, sepse ishte shumë më i ditur, e më i vendosur se ata që kishin zënë vende e poste të ndryshme në institucione. Kështu do të krijonte, sigurisht, jetë luksoze me xhipa e të mira tjera për vete. Por, për të, këto nuk kishin rëndësi, ai dëshironte që populli shqiptar kudo që është të fitojë lirinë, të jetë i bashkuar, sepse vetëm atëherë do të jemi të gjithë mirë, të pasur e të fortë, përndryshe, pasuria e postet individuale nën pushtues për të, nuk kishin vlerë, ato mund të zhduken në çdo çast, sikurse që ndodhën në luftërat e fundit në hapësirat shqiptare.
Me një shpirt të tillë prej atdhetari, ai nuk mund të rrinte i qetë përballë padrejtësive të mëdha, diskriminimit që bënte qeveria jugosllave në çdo fushë të jetës e për të gjitha padrejtësitë politike që ishin bërë dhe i bëheshin popullit shqiptar.
Njaziu në vitin 1979 kyçet në grupet ilegale që luftonin për lirinë e Kosovës. Edhe në këto anë, pra në Malësinë e Bujanocit, ai formoi celulat e Lëvizjes për Çlirimin e Kosovës. Në celulë kishte Sejdulla e Refik Kadriun nga Ramabuqa, hoxhën e Malësisë, Mefail Ramadani nga Novosella, të cilët lidhjen për më tutje e kishin Bajrush Xhemajlin. Së bashku me këta e me shumë shokë tjerë në vazhdimësi, aq sa kishte hapësirë, dhe këtë hapësirë e gjente, veproi për tu çliruar nga kthetrat e pushtuesit jugosllav.
Gjithmonë ishte në krah të veprimtarit të Malësisë së Bujanocit, DOKTOR ILAZ SELIMIT, i cili tërë jetën dhe gjithë pasurinë e dha për popullin dhe atdheun e robëruar e të varfër, por pushteti okupues; humanistët, atdhetarët dhe veprimtarët e çështjes shqiptare i ndiqte hap pas hapi, kështu bëri edhe me Ilaz Doktorin të cilin me ndihmën kolaboracionistëve e burgosi pa kurrfarë faktesh, por vetëm pse i ndihmonte popullit të vet, pse ishte veprimtar dhe atdhetar e pse ishte shqiptar. Njaziu, doktorin e vetmuar gjithmonë e kishte ndihmuar dhe përkrahur pa e menduar rrezikun.
Njaziu thoshte: “në vitin 1981, posaçërisht pas demonstratave të studentëve në Prishtinë unë dhe disa shokë të mi ishim të bindur se fitorja e jonë ishte afër, se koha për lirinë e Kosovës kishte ardhur. Për këtë arsye në fshatarët tona të Malësisë, ne kishim filluar të përgatiteshim për çdo ditë, ngase mendonim se duhet të jemi të gatshëm për çdo rast. Qëndronim me ditë e javë në mal, pa ngrënë pa pirë, për të përballuar çdo situatë të papritur nesër, sepse e dinim se lufta është e vështirë dhe me sakrifica, prandaj duhej të ishim të përgatitur për sfida e rrethana lufte.”
Ndër shumë aksione që zhvillonte Njaziu me shokët, që jashtë kufirit administrativ të Kosovës ishte shumë më vështirë të veprohej, ishte shkrimi i parullave e i pamfleteve dhe shpërndarja e tyre.
Shkrimi i pamfleteve bëhej me makinë shkrimi dore që ishte një mund i madh, sepse fletët duhej shtypur nga një apo më së shumti 3-4 kopje. Sa kohë e mund, (duke i llogaritur ndonjëherë edhe gabimet), duhej bërë për t’i shtypur 1000 e më shumë copë. Por, vullneti dhe detyra i tejkalonin të gjitha mundësitë. Kështu kishte ndodhur edhe në një rast kur me makinën që kishin blerë me paratë e veta Njaziu e Sejdullahu, brenda një nate, përkatësisht brenda datës 15-16 maj 1982 në shtëpinë e Sejdualla Kadriut kishin shtypur pamfletet të cilat më vonë ishin shpërndarë në Bujanoc, Tërnoc, Turi, Konçul, Breznicë e në fshatra tjera nga ilegalë të kësaj ane, të cilat pamflete kishin dridhur pushtetin në Bujanoc e më gjërë.
Vlen të përmendet edhe aksioni i shkrimit të parullave në Turi e Tërnoc. Pasi ishin shkruar parullat, policia serbe dhe UDB-ja u kishin rënë në gjurmë dhe kishin filluar t’i ndjekin. Në të njëjtën kohë kishin bllokuar të gjitha hyrjet e daljet e rrugëve të Bujanocit dhe fshatrave tjera përreth. Duke u kthyer në shtëpi që duhej të kalohej nëpër Tërnoc të Madh, policia serbe, me një kamion të madh, kishte bllokuar rrugën. Njaziu dhe Mefail Ramadani i cili e ngiste motorin, duhej të kalonin kah vendi i bllokuar prej policisë serbe. Duke e parë se nuk mund të iknin, Njaziu i thotë bashkudhëtarit që të vazhdojë drejt tyre me një shpejtësi të madhe, ndërsa vet kishte përgatit armën dhe ishte i gatshëm të shtijë në ta sapo të afrohej, sepse rrugë tjetër nuk kishin, ose duhej të dorëzoheshin ose duhej të fillonin të luftojnë. Njaziu kishte vendos të luftojë edhe pse e dinte se do të vriteshin, sepse ata (policia serbe) ishin shumë. Ai nuk donte të binte në duart e tyre, në duart e kriminelëve serbë, ngase e dinte se çka do t’i gjejë. Për fat, duke u afruar, një kamion i madh kalon ngadalë para barrikadës dhe këta me një zhdërvjelltësi hynë arave me motor dhe në këtë mënyrë i ikin kurthit të policisë serbe që kishin përgatitur më parë.
Njazi Kadriu me shokët e tij e ndienin për detyrë kombëtare të shkonin rrugës së luftëtarëve dhe atdhetarëve të lirisë: Idriz Seferit, Mulla Idrizit, Abdulla Krashnicës-Preshevës, Ibrahim Kelmemdit, Ali Aliut-Kelmendit, Metush Krasniqit, Lam Breznicës etj.
Në çdo bisedë, takim e fjalim me qytetarë, posaqërisht me të rinjët, përveç tjerash, u tregonte ngjarjen e luftëtarit për trojet etnike Lam Breznicës, i cili në luftën e Ushit, si një Gjergj Elez Ali i doli përballë Balozit të Zi, përkatësisht një çetniku, i cili kishte kërkuar mejdan me një shqiptar. Lam Breznica, si një rrufe, me shpejtësinë e erës dhe në largësi prej 40 m. me një plumb e plandosi Balozin e Zi, në këtë rast çetnikun, për tokë.
Me këtë vrasje edhe rrjedha e betejës mori kahen e fitores, sepse shqiptarët e thyen armikun duke i shkaktuar shumë të vrarë e të plagosur.
Njaziu, së bashku me shokët i përkujtonin gjithashtu simbolet e rezistencës kombëtare siç ishin: Adem Demaçi, Fazli Greiçevci, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla etj. të cilët për shkak të veprimtarisë patriotike për çlirimin dhe ribashkimin e trojeve shqiptare ishin burgosur nga pushtuesit sllav të ardhur nga Karpatet. Në këtë drejtim, ai dallohej nga të tjerët, fliste me besim të madh për ardhmërinë e sidomos për të kaluarën e hidhur të popullatës shqiptare për përpjekjen dhe luftën për lirinë dhe ribashkimin e trojeve shqiptare. Këtyre përpjekjeve atdhetare të të rinjve, nga Dardania Lindore, UDB-ja-famëkeqe do t’u binte në gjurmë atëbotë, ku do t’i burgoste shumë veprimtarë të kësaj lëvizje atdhetare shqiptare siç ishin: Sejdulla Kadriu, Eshref Jakupi, Refik Kadriu, Ramiz Arifi, Selver Bislimi, dhe shume të tjerë të grupit të Albanikosit, derisa më herët ishin arrestuar edhe Halil Selimi, Imer Hasani, Bejadin Hasani, Abdirrahman Limani, etj. të cilët së bashku me grupet tjera përpiqeshin të formojnë edhe Komitetin e Karadakut. Pra, sjellja e Njaziut, e sidomos veprimtaria e tij atdhetare kishte ra në sy të armikut. Për të mos lejuar që të ndikonte edhe më shumë, në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe organizimin e ndonjë grupi gueril e më vonë të ndonjë formacioni ushtarak kundër pushtetit serb, UDB-ja e arreston, më 25. 03. 1983 së bashku me shumë atdhetarë tjerë. Pas maltretimeve të shumta, ai dënohet sipas nenit ,,të famshëm” 133, 136 lidhur me 114 të Kodit Penal të Jugosllavisë, në emër ,,të popullit”, me 7 vite burg. Burgun e mbanë në Vrajë dhe Nish.
Edhe në burg qëndroi pa u përkulur dhe asnjëherë nuk u dorëzua. Gjatë kohës së hetimeve, Njaziu edhe pse përjetoi torturat më shtazarake nga xhelatët sllavë e kolaboracionistët shqipfolës, mbajti, si gjithmonë, qëndrim burrëror. Armiqtë nuk ia arritën qëllimit të tyre, për të nxjerrë ndonjë fjalë nga goja e tij, ngase Njazi Kadriu dhe shokët e ilegales ishin të pathyeshëm, kishin shpirtin idelaist, revolucionar e luftarak. Ai ishte betuar se do të vdiste për atdhe, dhe këtij betimi, para atyre torturave barbare, i qëndroi stoik duke mos tradhtuar shokët dhe idealin e tij.
Pra, edhe pse mbi të e të burgosurit tjerë politikë shqiptarë ushtrohej dhunë çnjerëzore, ata asnjëherë nuk u ligshtuan, por treguan se janë vazhdimësi e shpirtit sakrifikues, përkatësishtë e ruajtjes së vazhdimësisë së veprimtarisë patriotike në këto troje.
Shokët e tij të veprimtarisë ilegale dhe shokët e burgut, do të flasin me respekt për pathyeshmërinë, trimërinë dhe qëndresën e tij shembullore.
Njazi Kadriut u munduan t’ia gjymtojnë dorën e shkrimit, idetë vizionare revolucionare, atdhetare e krijuese, gjatë dhe pas burgut. Bagazhi atdhetar e krijues i formësuar, për një kohë i mbeti i pa realizuar, i pa shkruar, i mbeti i pa thënë. Atëherë kur e arrestuan dhe e dënuan me burg të rëndë, i vunë censurë hermetike e heretike politike. Mendimi i mbeti pa përfunduar, iu prangos fjala, u munduan t’ia mbyllin gojën, t’ia shternin damarët e pendës e të dorës. Megjithatë, shpirtin krijues nuk mund t’ia ndalnin, sepse posa doli nga burgu ai edhe më me forcë shpërtheu dhe e nxori vrullin që iu kishte mbledhur sa kohë. E vërteta është se edhe në burg nuk mund ta përkulnin. Ai, asnjëherë nuk i përfilli rregullat e burgut, asnjëherë nuk u dorëzua para tyre me asnjë shantazh e torturë. Ishte njëri ndër ata të burgosur, edhe pse ishte i hajthshëm e i vogël me trup, që i përballoi çdo maltretimi pa i lëvizur qerpiku dhe pa u luhatur asnjëherë, çoftë edhe atëherë kur donin ta mbysnin.
Qëndresën e tij e kujton edhe Sherif Konjufca, një ish i bashkë burgosur i Njaziut, në të pame për Njaziun, (ku kishin ardhur nga e tërë Kosova). Ai shprehet, se nga të gjithë ne sa ishim në burg, Njaziu ishte njeriu që qëndroi drejt, nuk u përkul dhe nuk pranoi asnjë shantazh e presion, edhe pse e munduan aq shumë.
Në bisedat e shpeshta (Njaziu) neve shokëve na tregonte: “në burg na rrihnin deri sa e dinin se nuk do të na del shpirti. Maltretimi më i madh ishte pagjumësia. Zyrtarët e burgut nuk na lenin të flemë. Na rrihnin, na pyesnin dhe na lëshonin kinse të shkojmë të flemë, por ata na ruanin, posa na kote apo na zinte gjumi pak na zgjonin dhe vazhdonin me të tyren, me maltretime e pyetje provokuese. Ky zgjim nga gjumi, posa dremitshim pak, ishte maltretimi me i rëndë”.
“Ka ndodhur na kanë rrahur sa nuk kemi mund as të lëvizim. Na kanë rrahur edhe lakuriq. Na i linin teshat më larg (në korridor apo diku tjetër) dhe na rrihnin deri sa mund të zvarriteshim. Pastaj na lëshonin kinse të ikim. Ne, me atë forcë që na kishte mbetur detyroheshim të lëvizim, ashtu lakuriq deri te teshat për t’u veshur apo për t’i marrë e larguar sa ishte e mundur më shpejt, se përndryshe vazhdonte rrahja. Me tesha në duar kalonim korridore e vende ku na shihnin të burgosurit dhe zyrtarët e burgut, të cilët dihet se si zgërdhiheshin. Pra përveç rrahjes deri pranë vdekjes, ata mundoheshin edhe të na poshtëronin e turpëronin, të na ulnin dinjitetin, moralin e shpirtin tonë liridashës. Kjo ishte më e rëndë se rrahja ”- tregonte Njaziu.
Njazi Kadriu, nga burgu del më 24. 03. 1990. Pas lirimit nga burgu iu ndalua të ushtrojë profesionin, por edhe çdo punë tjetër. Megjithatë, ai kyçet në Këshillin e Pajtimit të Gjaqeve e Ngatërresave pranë Këshillit Koordinues të PVD-së për Malësi, i cili dha kontribut të çmuar në zgjidhjen e shumë problemeve të tilla në Malësi. E dëgjonin dhe e respektonin, sepse gjykonte drejt, pa anime. Ishte edhe anëtarë i Kryesisë së PVD-së dega në Bujanoc, i cili përveç punëve tjera, ai duke u mbështetur edhe nga shokë të tjerë, kontributi dhe angazhimi i tij bëri që në tekstin për referendumin e tri komunave; Preshevë, Bujanoc e Medvegjë t’i shtohet: ”…me të drejtë bashkimi me Kosovën” e që sot e asaj dite është një dokument i fuqishëm i shqiptarëve autoktonë të Preshevës Bujanocit e Medvegjës për bashkëngjitje me Kosovën. Gjithashtu ishte aktiv në Shoqatën “Nënë Tereza”, shkruan për gazetën ditore “Bujku” “Jehona”etj. Pas dy vitesh detyrohet të shpërngulet në Gjilan me shpresë se do të largohej paksa nga syri i zi i UDB-së dhe ndoshta do të gjente punë.
Në Gjilan i bashkëngjitet KMLDNJ-së deri në kohën kur themelohet Shoqata e ish të Burgosurve Politikë për të udhëhequr degën e Gjilanit. Më 25 mars 1995 arrestohet nga policia e Dardanës (Kamenicës), por kësaj radhe me pretekst të mbajtjes së armëve, të cilën nuk ia kishin gjetur.
Nuk e ndali veprimtarinë atdhetare, organizoi dhe ndihmoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në forma të ndryshme me të gjitha mundësitë që i kishte. Ndihmoi edhe luftën e UÇPMB-së deri në nënshkrimin e marrëveshjes së Konçulit.
Njazi Kadriu, pas përfundimit të luftës në Kosovë, filloi të punoi në bibliotekën Ndërkomunale të qytetit “Fan S. Noli”, edhe pse ai meritonte ndonjë detyrë dhe obligim tjetër në komunë e Kosovë, ku sigurisht do të kontribuonte më shumë për Kosovën e Kosovën Lindore. Megjithatë, ai këtë profesion e ushtroi me përkushtim, dashuri e devotshmëri, duke qenë i dashur për lexuesit: nxënës e studentë, që ishin të shumtë në bibliotekë.
Shtëpia e tij ishte hapur gjithmonë për miq, shokë e dashamirë. Te ai shkonin për t’u konsultuar, për ta pyetur e marrë udhëzime, posaçërisht për problemin e pazgjidhur të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, por edhe për punë tjera të vogla jetësore e individuale. Të gjithë merrnin përgjigjen e duhur dhe ishin të kënaqur nga shpjegimet që u jepte. Mikpritja prej malësori, bujaria e zemërgjerësia tradicionale nga trevat e Hashanisë dalloheshin sa herë që e takoje: në shtëpi, rrugë, punë e ndeja të zakonshme.
Përkundër kësaj për gabimet dhe tentimet për të shkuar rrugës së gabuar e të interesit personal të kritikonte në sy e ta thoshte troç, pavarësisht pse të kishte shok e mik apo pse je në ndonjë post komunal apo shtetëror.
Shpirti atdhetar nuk e linte të qetë asnjëherë, dhe duke e parë se çështja e Kosovës Lindore mbeti e pazgjidhur dhe e harruar dhe duke mos u pajtuar me gjendjen në të cilën mbeti populli shqiptar atje, në vitin 2005, me një grup shokësh themeloi Shoqatën e të Shpërngulurve nga Kosova Lindore “Vatra”. Përpos mospajtimit me gjendjen e pazgjidhur të Kosovës Lindore, Njazi Kadriu në kuadër të shoqatës “Vatra”, duke e parë se jeta e qytetarëve të ndjekur nga Kosova Lindore është në gjendje mjaftë të vështirë, duke e parë se askush nuk interesohet për mundësitë e kthimit në trojet e veta (edhe pse u dëbuan me dhunë nga serbët), siç po bëjnë për serbët, u angazhua që të organizojë, që t’i bashkojë këta dhe t’u ndihmojnë këtyre qytetarëve të ndjekur, në mënyrë që me presione dhe duke sensibilizuar gjendjen e tyre të vështirë, sado pak të ndikojnë te organet e Qeverisë së Kosovës, te organet komunale të Gjilanit, Bujanocit, Preshevës e Medvegjës, e pse jo edhe te ndërkombëtarët, për gjetjen e mundësive e të krijimit të kushteve për kthim të atyre që dëshirojnë të kthehen, por edhe për integrim aty ku janë. Në këto angazhime atdhetare Njaziu punoi vazhdimisht deri në vdekje, deri në frymën e fundit të jetës së tij.
Njaziu ashtu siç i kishte përballuar stuhisë së pushtetit serb, nuk donte t’ia varte kurrë ndonjë dhimbje që kishte kohë pas kohe. Edhe pse ne shokët i thoshim shpesh që të kujdeset për shëndetin e tij, ai gjithmonë përgjigjej me humor: “unë jam i fortë, më i fortë se ju, nuk ka çka më bën gripi e sëmundjet që juve ju shtrijnë në spital”. Por sëmundja si një fantazmë kishte depërtuar në trupin e tij, dhe e gërryente ngadalë. Kohëve të fundit edhe pse kishte dhembje të mëdha, ai nuk jepej dot, dhe për asnjë moment nuk u ligështua. Nuk donte të merrej me të, por preokupimi i tij ishte se si të bashkoheshin trojet shqiptare, posaçërisht preokupimi i tij kryesor ishte çështja e pazgjidhur shqiptare e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës. Këtë e dëshmojnë kushëriri i tij, bashkëveprimtari e i burgosuri tij i dhomës, Sejdulla Kadriu dhe shoku i idealit Gani Shaqiri të cilët tregojnë se 3-4 minutë para ndërrimit të jetës, Njaziu pyeste se çka do të bëhet me Kosovën Lindore?
Dhe në fund po e them edhe një fjali, një mendim të një të dituri, të cilën në të pame të Njaziut e tha Bajrush Xhemajli me të cilin Njaziu ishte në grupin ilegal dhe në atë kohë ishte kryetar i komunës së Ferizajt: “Idealistët e ndryshuan botën, por e shkatërruan veten”. Duke thënë kështu mendjen e kishte te Njaziu i cili me të vërtetë ishte i tillë.
Lavdi veprës dhe jetës së Njazi Kadriut!
Ismet Tafili