Résultat de recherche d'images pour "Xhemaledin Salihu"Nga Sevdail Hyseni

     -Trashëgimia kulturore një nga sferat më të rëndësishme të shoqërisë shqiptare në Luginë të Preshevës dhe më gjerë, pasurohet edhe me një libër tjetër monografik të autorit preshevar prof. Xhemaledin Salihu me titull “Presheva- pjesë e pandarë e Lëvizjes Kombëtare nëpër shekuj” (Monografi), Preshevë, 2017.

 

Ky është libri i tretë me radhë i kësaj natyre, pas atij kushtuar Bujanocit, si burim i trashëgimisë kulturore dhe natyrore, gjatë vitit 2014 dhe Raincës, vendbanimit më të vjetër dardano-shqiptar në rajonin e Preshevës, në vitin 2015.

Ideja e një Monografie të përgjithshme për Preshevën,  autorit i ka lindur që moti, duke  hulumtuar, grumbulluar e sistemuar vlerat e trashëgimisë kulturore dhe duke trajtuar aspekte të jetës shoqërore të kësaj krahine autoktone shqiptare.

Në librin monografik “Presheva pjesë e pandarë e Lëvizjes Kombëtare nëpër shekuj”, trajtohen tema të rëndësishme nga aspekti gjeografik,toponimik, historik, gjatë kohërave të ndryshme, luftërat dhe rezistenca e Shqiptarëve të Preshevës për liri e drejtësi, trashëgimia kulturore, trashëgimia natyrore, trashëgimia shpirtërore, Karadaku i Preshevës, arsimi, kultura dhe informimi i saj.

Pra, Monografia ka hyrjen dhe përbëhet nga 6 kapituj, kapitulli I: Mëhallët dhe toponimia, kapitulli II: Histori, kapitulli III: Trashëgimia kulturore, natyrore, shpirtërore, Karadaku, kapitulli IV: Arsimi, kapitulli V: Kultura dhe kapitulli VI: Informimi.

Në recensionin e Dr. Veton Zejnullahu, duke lexuar librin për Preshevën nga autori Xhemaledin Salihu, që në kapitullin e parë mësojmë për Mëhallët e Preshevës, që janë karakteristike për organizmin territorial të qytetit dhe vërejmë se janë dhjetëra mëhalla, secila me karakteristikat e veta dhe me shtrirje që autori na jep të dhëna deri në detalet më të vogla. Gjithashtu, në hollësi jepen edhe toponimet e Preshevës dhe fshatrave përreth saj, duke dhënë me qindra emërtime, të cilat janë ruajtur me fanatizëm nga banorët vendorë, të cilat i shoqëron me fotografi shumë të vjetra, por edhe dokumente dhe harta, që flasin më së miri për toponiminë e kësaj ane.

Në kapitullin e dytë autori përqendrohet në aspektin historik, duke na sjellë shumë fakte për të kaluarën, sa të bujshme aq edhe të lavdishme të Preshevës gjatë rrjedhave të ndryshme të historisë.

Presheva edhe pse vend i vogël dhe i ndarë nga trungu i saj amtar, ajo gjithherë ka qenë kontribuuese e madhe e Lëvizjeve Kombëtare për Çlirim. Në të gjitha Kuvendet e mëdha kombëtare, Presheva ishte e përfshirë, duke dhënë kontributin e vet në përpjekjet e shqiptarëve për liri.

Dëshira e shqiptarëve për liri dhe bashkim me Kosovën u shprehën më së miri me Referendumin e 1 dhe 2 Marsit të vitit 1992, të cilin autori e paraqet me foto dhe dokumente me vlera të shumta si kombëtare ashtu edhe historike.

Në kapitullin e tretë autori sjell të dhëna të shumta për trashëgiminë kulturore, natyrore dhe shpirtërore të Preshevës dhe na jep detaje për vendndodhjen e tyre, duke u shërbyer edhe me matjet gjeografike që t’i bëjë sa më lehtë të kuptueshme për lexuesin. Kalatë e vjetra, objektet fetare të të gjitha religjioneve, kullat, varreza të vjetra, duke dhënë edhe informacione shumë të sakta, pastaj pasuritë e pafundme natyrore dhe ato kulturore japin një imazh të plotë dhe shumë mbresëlënës për Preshevën dhe rrethinën e saj.

Në kapitullin e katërt, që flet për arsimin në Preshevë, shohim dëshirën e madhe të preshevarëve për shkollim dhe edukim. Gjurmë të shkollimit autori gjen nga kohërat më të vjetra dhe ato i paraqet në libër.  Edhe në kapitullin e pestë autori na jep shumë të dhëna dhe informacione

për kulturën në Preshevë. Në këtë kapitull, autori ndalet për bibliotekarin në Preshevë, si dhe për perspektivën e saj.

Presheva për shumë vjet me radhë ishte edhe organizatore e festivaleve kombëtare të

recitimit por edhe e vizitave të shumta të teatrove të ndryshme, të cilat performuan në Preshevë.

Në kapitullin e gjashtë dhe të fundit autori flet për informimin në Preshevë, duke na dhënë të dhëna për fillet e gazetarisë në Preshevë, si dhe përpjekjet e vazhdueshme të studentëve preshevarë, të cilët përmes shoqatave dhe organizatave të ndryshme mundoheshin për një informim sa më kualitativ.

Ndërkaq në recensionin e Dr. Ardian Emini, autori i librit monografik, synon ta trajtojë në vështrimin shumë dimensional, me ç’rast i bashkëdyzon shumë fusha studimore, si trashëgiminë kulturore me atë shpirtërore, natyrore këto me raportin dhe ngjarjet historike, sociale, arsimore, kulturore, raportin demografik e pozicionin gjeografik. Autori nuk e ruan në mënyrë strikte parimin kronologjik, megjithatë ai synon që t’i ndërthurë ngjarjet e fenomenet e të njëjtat t’i krahasojë mes veti ngjarjet me vitet në këtë formë të nxjerrë të dhëna për Preshevën dhe banorët e saj.

Në këtë drejtim, sipas dr. Eminit, vërehet se libri ka një sintezë mjaft interesante që fillon me pozitën gjeografike, vazhdon me emërtimin e Preshevës Toponimet në Preshevë, aspektin historik… së dyti autori në këtë libër trajton edhe të mirat natyrore/ trashëgiminë natyrore e kulturore të kësaj treve dhe në fund arsimin dhe kulturën. Autori në përmbajtjen e këtij libri transmeton vlera të shkrimit/ përshkrimit dhe ruajtjes e kultivimit të trashëgimisë kulturore si dhe ngjarjeve historike nga shqiptarët e kësaj treve. Kjo më së miri vërehet nga intervistat e shumta, të cilat autori i paraqet. Andaj këtë libër duhet konsideruar si një vlerë të shtuar për trevën e Preshevës, një libër, i cili na sjell informata të shumta e të nevojshme për këtë pjesë të trungut shqiptar.

Rëndësia e këtij libri, duhet parë edhe në një drejtim tjetër si në atë historik e njoftues, me ç’rast autori përmes paraqitjes së ngjarjeve të ndryshme historike kulturore dhe natyrore argumenton autenticitetin dhe kontunitetin e jetesës shqiptare në këtë trevë, thuhet mes tjerash në rencensionin e dr. Ardian Emini.

Nga recensionet e librit monografik “Presheva pjesë e pandarë e Lëvizjes Kombëtare nëpër shekuj”, të autorit prof. Xhemaledin Salihu, del se ky autor me punën e tij ka arritur, që në këtë libër të inkorporojë shumë elemente studimore, të cilat do t’i hyjnë në punë lexuesit dhe studiuesve të ardhshëm të kësaj fushe, fondament i së cilës do të jetë interdisiplinariteti i këtij libri. Gjithashtu, librit monografik “Presheva pjesë e pandarë e Lëvizjes Kombëtare nëpër shekuj”, botohet në kuadër të Institutit Albanologjik të Prishtinës, me redaktorin  prof.dr. Lulëzim Lajçi, sekretar shkencor. Libri botohet në 616 faqe, të shoqëruara me 450 ilustrime.

SHPËRNDAJE