Më 15 mars ka përfunduar periudha ku qytetarët kanë qenë të detyruar të bëjnë montimin e gomave të dimrit në veturat e tyre.

Por, ata që i dënojnë qytetarët, Policia e Kosovës nuk e kishte bërë vet një gjë të tillë.

Respektivisht, disa vetura që përdoren nga zyrtarë policor që aktivitetin kryesisht e kanë në veri të Kosovës.

Këtë ia kanë konfirmuar televizionit burime të afërta me ngjarjen, të cilët e kanë dokumentuar këtë edhe me fotografi.

E gjithë kjo ngjarje ka ndodhur shkaku i mospërmbushjes së detyrimeve nga kontraktori që kishte fituar tender për këtë.

Kontrata për furnizimin dhe montimin të gomave, ishte nënshkruar ndërmjet Agjencisë Qendrore të Prokurimit dhe një kompanie private në vlerë të mbi 300 mijë euro më 10 tetor të 2023-tës.

Këtë problematikë e kishte ngritur TV Dukagjini edhe në muajin janar e në atë kohë, kompania fituese e tenderit, EUROGOMA  kishte thënë se së shpejti do të pajisen me disa dimensione të gomave dhe se vonesat janë si rezultat i devijimit të rrugës së kontejnerëve gjatë importit nga Lindja e Mesme për shkak të krizës atje.

Se ka pasur raste që kjo kontratë nuk është përmbushur është i njoftuar edhe Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha ndonëse kontratën e ka lidhur Agjencia Qendrore e Prokurimit.

“Disa kanë pas probleme për shkak të veturave të nalta, gomat specifike që kanë qenë. Autoriteti ka qenë tek Agjencia Qendrore e Prokurimit sepse ata kanë bërë kontratën e jo Policia e Kosovës”, tha drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Por, Agjencia Qendrore e Prokurimit përgjegjëse e ka lënë Policinë e Kosovës, që thotë se nuk ka bërë kërkesë për hapa ndaj kontraktorit.

“Jemi të informuar për disa vonesa por që deri më tani nuk kemi pranuar kërkesë nga institucionet që shfrytëzojnë këto kontrata për shkëputje te kontratës apo marrjen e ndonjë mase tjetër siç parashihen në kushtet e veçanta të kontratës”, tha Agjencia Qendrore e Prokurimit.

Por, Policia e Kosovës, nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e televizionit nëse ata kanë qenë përgjegjës dhe pse  nuk e kanë bërë një kërkesë të tillë.

Ndonëse mospërmbushja e kontratës është konfirmuar nga dy institucione përgjegjëse, një gjë e tillë nuk është pranuar nga kompania fituese, EUROGOMA.

Përfaqësuesi i kësaj kompanie, Ismet Rexhepi ka mohuar se nuk e kanë përmbushur kontratën, duke akuzuar televizionin që po raporton për temën.

EUROGOMA: A je motivuar prej dikujt me i dhanë kahje kah po don ti apo po e don të vërtetën?

DUKAGJINI: nuk ka kahje, prandaj edhe po thërras me ju pyet juve.

EUROGOMA: Unë jam përfaqësues i Eurogomës dhe unë ty po të tregoj, nuk ka goma të paliferume.

DUKAGJINI: Ka vetura të cilave nuk i janë ndërruar gomat në periudhën e dimrit në kohën kur është dashtë të ndërrohen”

EUROGOMA: Ti a je gjykatë apo çka?

DUKAGJINI: Nuk jam gjykatë, unë vetëm e kërkoj versionin e juaj.

EUROGOMA: Versioni i jonë është tillë, nuk ka goma të paliferume.

Megjithëkëtë, sipas kontratës së nënshkruar ndërmjet EUROGOMËS dhe AQP-së në nenin 14 të saj thuhet se nëse furnizuesi me përgjegjësinë e tij nuk arrin t’i dorëzoj ndonjë apo ose të gjitha mallrat, ose të realizoj shërbimet brenda limiteve kohore, autoriteti kontratues, pa njoftim zyrtar dhe pa paragjykim ndaj kompensimeve tjera të tij sipas kontratës, do të ketë të drejtë për secilën ditë që kalon ndërmjet skadimit të periudhës së kontratës dhe datës aktuale të përfundimit, t’i marr dëmet e likuiduara të barabarta me 0.25% në ditë të vlerës së furnizimeve të padorzuara deri në një maksimum prej 10 % të vlerës totale të porosisë.

SHPËRNDAJE