Prishtinë, 28 Prill 2020 – Partia Demokratike e Kosovës, i sheh me shqetësim kërcënimet që po ndodhin në rrjetet sociale, të motivuara nga aktualiteti politik, mosdurimi ndaj qëndrimit apo mendimit ndryshe dhe logjikës përjashtuese.
Kërcënimi me jetë në rrjetin social kundër deputetes Eliza Hoxha, është shembull për të keq të degradimit të lirisë së shprehjes, duke u radhitur në vepra kriminale dhe të dënueshme, andaj presim që organet e drejtësisë të merren me rastin.
PDK dënon ashpër çdo kërcënim, fjalor dhe veprim arrogant të motivuar nga cenimi i lirisë së tjetrit, andaj, ftojmë organet përgjegjëse të ndërmarrin të gjitha masat që kryesit e këtyre veprave të trajtohen sipas ligjit.
Partia Demokratike e Kosovës, shumë herë ka tërhequr vërejtjen për ashpërsimin e fjalorit linçues të partive politike kundrejt oponencës në skenën tonë politike, në veçanti gjatë muajve të fundit, të shfaqjes së arrogancës së paparë dhe përçarjes, faktorë që ndikojnë dhe përcillen edhe tek anëtarësia e partive politike.
Ky kërcënim, përbën vargun e kërcënimeve të palejueshme në shtetin tonë, për demokracinë dhe vlerat demokratike që ju bëhet deputetëve, drejtuesve apo anëtarëve të PDK-së, privatisht apo në rrjetet sociale, duke shpërfaqur mungesë të skajshme të kulturës, komunikimit dhe vlerave të demokracisë së vendit tonë nga persona të papërgjegjshëm.