Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Arben Mustafa përmes një konference për media ka njoftuar se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka inicuar në Kuvendin e Kosovës ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme.
Mustafa tha se kjo nismë është ndërmarrë pas dyfishimit të faturave të tatimit në pronë për vitin 2023 për pjesën më të madhe të qytetarëve të Kosovës.
Në Projektligjin e inicuar nga Grupit Parlamentar i PDK-së, është propozuar pezullimi për një vit i vlerësimit të pronave që është bërë në vitin 2022 nga ana e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve në mënyrë që tatimi në pronë të mos rritet në këto kushte të rënduara ekonomike.
PDK fton të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta mbështesin këtë Projektligj.
Mustafa i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës për vlerësim pozitiv sa i përket kësaj nisme ligjore të Grupit Parlamentar të PDK-së dhe kjo çështje të adresohet sa më shpejtë që është e mundur.
“Mbështetja e këtij projektligji do të krijojë sado pak lehtësi për qytetarët e vendit që po ballafaqohen me mirëqenie të rënduar dhe do t’i japë mundësi një procesi të ri të vlerësimit të pronave, të bazuar në transparencë dhe në një përfshirje më të gjerë të palëve relevante për vlerësimin e pasurive të paluajtshme. Çdo tentativë tjetër për të zhvendosur vëmendjen nga ngarkesa e panevojshme që i është vënë qytetarëve të vendit, sikur tendenca për t’i bartur komunave përgjegjësinë e faljes ose jo të 100 eurove, paraqet vetëm një vazhdim të përpjekjeve për manipulim me publikun dhe ikje nga përgjegjësia e veprimeve të palogjikshme dhe të pamatura politike. Kërkojmë zgjidhje të qëndrueshme, jo të bazuar në hapa ad-hoc siç po vepron Qeveria me projektligjin aktual. Pra, një zgjidhje të strukturuar dhe në favor të qytetarëve të Kosovës”, tha Arben Mustafa.