Prishtinë, 17 mars -Pas 15 vitesh, Ramush Haradinaj, mbrëmë në RTV Dukagjini në intervistën dhënë Berat Buzhalës, xhokerit të Ekrem Llukës (pronarit të RTV Dukagjinit), shpif dhe sulmon gazetën “Bota sot”, për gjoja shpifjet që sipas Haradinajt, gazeta kishte botuar kundër tij.

Por, është shumë e çuditshme, që jashtë çdo aktualiteti, dhe pikërisht pas e-mailit të dërguar Ekrem Llukës nga “Bota sot”, ndodh një gjë e tillë!

Para 10 ditësh, pra me datë 10 mars, “Bota sot”, përmes një e-maili të dërguar Ekrem Llukës, kërkon që ky i fundit të paguajë dëmshpërblimin prej 20 mijë frangash, për shpenzimet gjyqësore në Zvicër, ku Lluka kishte humbur gjyqin ndaj gazetës “Bota sot”.

E-maili i dërguar nga “Bota sot” në adresë të Ekrem Llukës

“Përshëndetje, i nderuari Z.Lluka, uroj të jeni mirë. Ashtu siç e dini edhe ju që gazeta “Bota sot”, e ka fituar gjyqin ndaj jush në Gjykatën e Qarkut të Meilenit, të Zvicrës dhe si shpërblim ndaj gazetës e keni pasur obligim të ia paguani shumën prej 20 mijë frangash zvicerane dhe kjo pagesë nuk është kryer deri më tani. Ju lutem që ta keni parasysh se pagesën duhet ta kryeni, dhe për korrektësi e keni në attach dëshminë e këtij procesi gjyqësor”, thuhet në kërkesën drejtuar Llukës, përmes e-mailit.

Por deri më tani, ai nuk e ka bërë ende pagesën prej 20 mijë frangash.

Por për lexuesit, është e rëndësishme të dihet se si para 15 vitesh, me këmbëngulësi partia e Ramush Haradinajt, AAK, kërkonte t’a dinte se kush vërtet ishte autori Artur Seiti, që ka pasur një seri shkrimesh në muajin qershor të vitit 2002 në lidhje me Grupin e Dukagjinit dhe Ekrem Llukën.

Autori Artur Seiti ka qenë pseudonim, por emri i vërtetë ishte Bardhyl Ajeti, që kishte informacione nga i ndjeri kolonel Tahir Zemaj.

Atëkohë u kërkua me çdo kusht të zbulohet emri, por ishte e rregulluar me ligj nga Bordi i Mediave që emri mos të zbulohej për shkak të rrezikshmërisë së lartë që ishte atëkohë nga qarqet e caktuara. Madje, nuk rreshtin së pushuari në kërkim të emrit, shkuan e kërkuan edhe përmes Gjykatës së Zvicrës, por nuk ia dolën.

Artur Seiti (Bardhyl Ajeti), kishte futur panik për të vërtetat që shkruante me penën e tij në atë periudhë dhe AAK kërkonte zbulimin e emrit të vërtetë të autorit.

Ishte 17 korriku i vitit 2002, kohë kur atëherë fletushka e quajtur “24 orë”, kishte filluar një fushatë shkrimesh fyese, shpifëse e denigruese ndaj gazetës kombëtare “Bota sot”.

Në atë kohë, kjo fletushkë llogaritej si organ i AAK-së, parti kjo e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Në fakt, duhet të përkujtojmë edhe një deklaratë të Tahir Zemajt menjëherë pas luftës, në javën e tretë të muajit dhjetor të vitit 1999.

“Në lidhje me Dukagjinin, më vjen keq, por më duhet ta them se Ramush Haradinaj m’i ka plagosur tre ushtarë dhe i ka zhveshur lakuriq, por edhe i ka qitur të vrapojnë para automjetit lakuriq, ua ka marrë 1300 DM, një automjet dhe uniformat. Për këtë ekzistojnë informacionet që i janë dërguar prej meje Shtabit Suprem”, kishte deklaruar mes të tjera Tahir Zemaj në intervistën për ‘Bota sot’ me 21 dhjetor të vitit 1999. As Tahir Zemaj, as Bardhyl Ajeti nuk janë gjallë, të dytë të vrarë nga dora kriminale që sot e asaj dite nuk janë zbuluar.

Në pamfletin “24 orë”, të datës 11 korrik 2002, botuar në faqen 3, të këtij pamfleti me tituj: “Seiti apo Gebelsi shqipfolës” dhe “Turri i fundërrinave antishqiptare”, dyshohej se Artur Seiti është Naim Kelmendi. Me 17 korrik të atij viti, Naim Kelmendi ka reaguar me shkrim, duke treguar tërë biografinë e tij familjare e patriotike. “Bota sot”, qysh atëherë kishte kërkuar nga Haradinaj që të distancohej nga shkrimet shpifëse të kësaj fletushke. “Bota sot”, kishte paraqitur ankesë tek komisionerja e përkohshme për media që ishte në Kosovë, De Llellio dhe në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, pasi në shkrimet e kësaj fletushke përgatiteshin vrasje të reja ndaj gazetarëve të kombëtares “Bota sot”.

Kërcënimet, shantazhet dhe paditë ndaj “Bota sot”, nuk kishin të ndalur, ku gazeta ishte paditur edhe në Zvicër, nga Ekrem Lluka, tash pronar i RTV Dukagjinit,  gjoja për disa shkrime që Artur Seiti (Bardhyl Ajeti), i kishte bërë rreth veprimtarisë kriminale që zhvillohej në atë kohë në rajonin e Dukagjinit.

Ekrem Lluka, në padinë e bërë ndaj “Bota sot” në Zvicër kishte humb Gjyqin, ku drejtësia zvicerane kishte vendosur që e drejta ishte në anën e gazetës “Bota sot”, dhe se Lluka obligohej që të paguante shpenzimet gjyqësore, ndaj “Bota sot”, me vlerë 20 mijë franga.

Ky gjyq kishte përfunduar në vitin 2004, ndërsa një vit më vonë vritet Artur Seiti (Bardhyl Ajeti).

Ndërsa, tash 10 ditë që kur Ekrem Lluka ka pranuar një email nga “Bota sot” për ti përmbushur obligimet financiare që Gjykata Zvicerane e kishte vendosur, xhokeri i Ekrem LLukës, pronarit të RTV Dukagjinit,  Berat Buzhala,  është porositur që ta intervistojë Ramush Haradinajn, i cili del me shpifje për gazetën “Bota sot”, gjoja se “Bota sot”, kishte shpifur për të, dhe për këtë ai i ishte ankuar presidentit Rugova.

Po ashtu, sa për dijeni Ramush Haradinaj në shtator të vitit 2000 e kishte vizituar redaksinë e gazetës “Bota sot”, në selinë e saj në New York.

Tani shtrohet pyetja, pse Ramush Haradinajt dhe Ekrem Llukës i ka interesuar aq shumë që të zbulohet  kush është Arturi? Pse janë frikësuar aq shumë nga shkrimet e tij? Pse tash pas sa viteve dhe pas kërkesës për pagesën e 20 mijë frangave Ekrem Lluka përdor xhokerin e tij, Berat Buzhalën për ta sulmuar gazetën “Bota sot”?! Ramushin askush nuk e pyeti për “Bota sot” gjatë emisionit “Komiteti”.  Çfarë e shtyri që ta përmend “Botën sot”? Çfarë po e pengon “Bota sot”? Çfarë i dhemb Ramushit? Ai e di më së miri.

SHPËRNDAJE