Disa biznese nëpër komuna janë mbyllur edhe pse pas masave të marra nga Qeveria e Kosovës, lidhur me parandalimin e koronavirusit iu lejohet të punojnë, megjithatë ato nuk po mund të punojnë të dielën për shkak të një vendimi të komunave që ua ndalon hapjen e lokaleve.
KosovaPress mëson se Vushtrria dhe Mitrovica e Jugut ka lejuar hapjen e bizneseve, por jo edhe Podujeva.
Vendimet e disa kuvendeve komunale në vend për ndalimin e punës së bizneseve ditën e diel, do të kufizojë aktivitetet ekonomike të tyre, madje po konsiderohen si veprime selektive të këtyre komunave.
Oda e Afarizmit të Kosovës po kërkon që të merret një vendim i drejt nga qeveria për të pushuar bizneset të dielave në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, mirëpo po kërkon që të mos ketë pushim për bizneset të dielave në sezonin veror, kur bashkatdhetarët mund të vijnë në Kosovë, korrik dhe gusht.
E në anën tjetër në Odën Ekonomike të Kosovës po thonë që vendi ende po ballafaqohet me vendime politike dhe popullsitë që pastaj po krijojnë dëme në ekonomi. Kundërshti për këto vendimeve në disa komuna, ka pasur edhe nga Oda Ekonomike Amerikane.
Ndonëse, drejtues të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, kanë zgjedhur heshtjen për të mos u prononcuar për KosovaPress, karshi ankesave nga ana e komunitetit të biznesit, në Asociacionin e Komunave të Kosovës deklarojnë se odat ekonomike në vend duhet t’i parashtrojnë kërkesat e tyre në këtë ministri, që të mund të plotësohen kërkesat e tyre me ndryshimet ligjore.
Nënkryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Arsim Selmonmusaj thotë për KosovaPress, se përveç që veprimi i disa komunave, është selektiv për të pushuar bizneset ditën e diel, duhet të analizohet edhe pushimi në sezonin veror nga bashkatdhetarët në muajin korrik dhe gusht.
Nënkryetari Selemomusaj ka kërkuar që të punojnë të gjitha bizneset në sezonin veror, kur bashkatdhetarët janë në pushim.
“Nuk është mirë, për shkak se dëmtohen disa komuna, nëse një komunë vendos për pushim qytetarët e asaj komune po lëvizin në komunën tjetër dhe po shërbehen për arsye të ndryshme në vikend. Ndërsa, nëse bëhet në nivel të Kosovës, kishte me qenë mirë për të gjithë bizneset, dhe ne dimë se jemi duke pretenduar që të integrohemi në Evropë. Ne e dimë se në Evropë, çdo të diel është pushim, por nëse ka arsye të caktuar siç është çështja e sezonit që kemi bashkatdhetarë dhe çështjet e festave që i kemi tri katër festa më të rëndësishme, atëherë në kishim menduar ne si odë që duhet të lejohet të punohet”, thotë Selemonmusaj.
Ai thotë se në OAK ka pasur disa ankesa prej bizneseve që nëpër disa komuna disa bizneseve iu lejohet me punuar, e disa të tjerave jo. Sipas tij, është mirë që të respektohen ligjet e Republikës së Kosovës që të jenë në nivel të barabartë të gjithë komunat.
Ndërsa, nisma për mbylljen e bizneseve ditën e diel është kundërshtuar edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës. Kryetari Berat Rukiqi thotë për KosovaPress, se një vendim i tillë nuk do duhej të merret pa u bërë një analizë përcjellëse.
“E kemi kundërshtuar, për arsye se ende nuk jemi të gatshëm si vend dhe si treg me hy në një diçka, e cila nuk ka një analizë përcjellëse. Nëse e analizojmë, diku në rrethinën e Prishtinës, janë dhjetë mijë biznese me një qarkullim mesatar prej 500 euro të dielave dhe dëmet munden me shkuar deri në dhjetëra miliona euro, vetëm nga një vendim I dëmshëm që mund të vjen me një vendim komunal dhe e cili nuk ka asnjë analizë përcjellëse, por është vendim popullsitë që tenton me adresuar të drejtat e punëtorëve, por në fakt nuk e adreson, s’e Ligjet tjera e rregullojnë, është ligji i punës që thotë orari i punës është 40 orë”, thotë Rukiqi.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi thotë për KosovaPress, se sa i përket përcaktimit të orarit të punës, komunat kanë marrë vendime duke u bazuar edhe në Ligjin për tregtinë e brendshme, përkatësisht neni 40, ku komunave ua lejon të marrin këso vendime.
Sipas Ibrahimit, komunat janë autonome në marrjen e këtij vendimi, sepse kuvendi komunal është organi më i lartë vendimmarrës në nivelin lokal.
Në bazë të legjislacionit ekzistues në Republikën e Kosovës, Ibrahimi thotë se nëse komunat gjatë procesit të hartimit të një rregullore komunale nuk konsultohen me grupe të caktuara të interesit, n iveli qendror e ka të drejtën e kthimit mbrapa të asaj rregullore.
“Nëse niveli qendror është i interesuar të marrë një vendim të tillë për të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, mund ta marrë. Mirëpo, ligjet aktuale në Republikën e Kosovës ia mundësojnë komunave të marrin një vendim të tillë. Nëse odat kërkojnë që të ketë një vendim unik për të gjitha komunat, bizneset duhet të avokjnë në nivelin qendror, që pastaj të ketë një vendim ku të gjitha komunat janë të obliguara ta respektojnë. Mirëpo, në atë drejtim besoj që niveli qendror do të veproj kundër Ligjit për tregti të brendshme, sepse ky ligj ia jep të drejtën ekskluzive komunave, në veçanti të marrin vendime të tilla”, deklaron Ibrahimi.
Edhe drejtues të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë kanë dal kundër vendimit të disa k omunave që urdhërojnë bizneset që të dielën të mos punojnë. Sipas tyre, sektori privat është kyç për përshpejtimin e rritjes ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe luftimin e varfërisë.
Edhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa, e ka kundërshtuar këtë vendim, duke thënë se Autoriteti i Konkurrencës duhet të shqyrtojë vendimet e disa komunave për të ndaluar punën ditën e diel, në pikëpamje të cenimit të konkurrencës së lirë dhe të ndikimit në sektorin privat.
Ndryshe, një vendim të tillë, gjatë vitit të kaluar ka miratuar komuna e Mitrovicës së jugut, ndërsa që nga 1 shkurti ka hyrë në fuqi edhe në Komunën e Vushtrrisë, nga 1 marsi në Skenderaj, në Podujevë dhe pritet shpejt të marrin vendim edhe Peja, Ferizaj dhe Prishtina.