Policia e Kosovës ka merr vendim të suspendojë nga puna 6 komandantët serbë të Policisë së Kosovës, të cilët nuk kanë respektuar urdhërat e drejtorisë së përgjithshëm të policisë.
Zëdhënësi i policisë së Kosovës Baki Kelani e konfirmoi lajmin, duke thënë se “të gjithë zyrtarët policorë që janë të përfshirë këtë vendim, do të pezullohen me pagesë të plotë në afat prej 48 orësh”.
Policia e Kosovës ka ndërmarrë këtë hap ndaj komandantëve të stacioneve policore në veri, pas refuzimit të tyre t’u binden urdhrave të drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Kosovës, që të dorëzojnë detyrat e tyre dhe të marrin detyrat e reja.
***
****
Zyrtarët policorë, që nuk zbatojnë urdhrat e zinxhirit komandues, mund të ndëshkohen nga Drejtoria e Policisë së Kosovës. Autoritetet e rendit janë në shqyrtim të masave për policët serbë, të cilët kanë refuzuar transferimin nga njëri vend i punës në tjetrin.
Policia e Kosovës pritet të ndërmarrë masa ndaj komandantëve të stacioneve policore në veri, të cilët kanë refuzuar t’iu binden urdhrave të drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Kosovës, që të dorëzojnë detyrat e tyre dhe të marrin detyrat e reja.
Drejtori i policisë, Reshat Maliqi, i tha Radios Evropa e Lirë se policët që nuk përfillin urdhrat dhe nuk respektojnë ligjet, do të ndëshkohen.
“Ata, të cilët nuk i zbatojnë urdhrat, do të ballafaqohen me masa disiplinore. Do të thotë, do të veprojmë konform ligjit”, theksoi Maliqi, duke mos dashur të komentojë detaje rreth vendimit.
“Janë duke u zhvilluar disa ngjarje… Nuk dua të prejudikoj dhe të them se çfarë do të jetë vendimi”, u shpreh ai.
Komandantët serbë të stacioneve policore në veri, një javë më parë, kanë marrë vendimin për transferim. Ata kanë deklaruar se nuk e kanë ndërmend t’i lënë vendet e tyre të punës dhe të marrin të reja.
Përfaqësuesit e serbëve kanë thënë se nuk janë kundër rotacionit, por kundër asaj që procesi i tillë të bëhet pa konsultime me komunitetin lokal.
Njohësit e Ligjit të Policisë së Kosovës thonë se ky i fundit parasheh ndëshkime për personat që nuk u përgjigjen urdhrave të zinxhirit komandues.
Nuredin Ibishi, ekspert i sigurisë dhe njëri nga hartuesit e Ligjit për policinë, u shpreh:
“Masa e parë, e cila duhet të merret nëse zyrtari refuzon urdhrat, është suspendimi i menjëhershëm dhe emërimi tjetër në vendin e tij”.
Në një raport të Zyrës së Koordinatorit për zbatimin e strategjisë për veriun, i cili është publikuar në media, thuhet se në këtë pjesë të vendit veprojnë ende strukturat paralele, të cilat tolerohen nga UNMIK-u dhe EULEX-i.
Mirëpo, zyrtarë të misionit evropian theksojnë përpjekjet e vazhdueshme në drejtim të vendosjes së rendit dhe ligjit atje. Zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeleviq, dha disa shpjegime:
“Unë nuk do të mund të pajtohem me deklaratat se EULEX-i është krejtësisht i paefektshëm në veri. Vetëm gjatë dy javëve të fundit kemi pasur arrestime në Zubin Potok, në lidhje me hetimet për krim të organizuar, pastrim parash e të tjera”.
“Dje, një person u dënua me katër vjet e gjysmë burg në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë. EULEX-i mbetet i përkushtuar për të luftuar të gjitha llojet e krimeve në veri të Kosovës dhe në mbarë Kosovën”, theksoi Gudeleviq.