AFIRMIMI I KRIJUESVE TANË NË BOTË
Kohë më parë revista “DIOGEN pro culture” që botohet në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës, botoi 11 poezi të poetit kosovar (nga Presheva) Mexhid Mehmeti.
Xhemë KARADAKU
Prishtinë, 10 qershor / AIK-Presheva Jonë
Poezitë Metaforë e zbrazur, Paradoksale, Anatomia e dhembjes, Kopsht i çuditshëm, Shtatë vjet, Peizazh i ngrirë, Rrugëtim, Ekspozitë tmerri, Kurrë më, Pse të jetojmë bashkë dhe Grabitje gjymtyrësh, u botuan të shoqëruara me biografinë e plotë, disa foto – portrete të autorit dhe me një recension të shkurtër në gjuhën boshnjake dhe angleze të kryeredaktorit të kësaj revisteje prestigjioze Sabahudin Haxhialiq.
Poezitë nga gjuha shqipe në gjuhën boshnjake i përkëtheu shkrimtari ynë i mirënjohur Hajro Ulqinaku
Kryeredaktori dhe redaktori përgjegjës i revistës “DIOGEN pro culture”, shkrimtari Sabahudin Haxhialiq nga Bosnja dhe Hercegovina dhe shkrimtari nga Indija, Dr. Ram Sharma, janë ko-autorët e botimit më të ri të Antologjisë së poezisë, përkatësisht pjesës së III-të të “Poetët për paqë në botë” (POETS FOR WORLD PEACE) për vitin 2011. Antologjia do të botohet sivjet në gjuhën angleze në Indi dhe Kanadë. Në këtë antologji, sipas ftesës së autorëve, do të prezantohet edhe shkrimtari Mexhid Mehmeti poezitë e të cilit në gjuhën angleze i përkëtheu Prof. Dr. Vesel Nuhiu.
Sipas njohtimit të autorëve të Antologjisë, poetët që do të prezantohen në këtë botim vijnë nga të gjitha meridianet dhe nga të gjitha kulturat e rruzullit tokësor, pa marrë parasysh përkatësinë racore, gjinore, kombëtare apo përcaktimin e tyre fetar, duke pasur si kriter të vetëm, para së gjithash, vizionin dhe kreacionin poetik, në mënyrë që t’i mundësohet botës të bëhet vend më i mirë për të jetuar dhe për krijimtari artistike. Antologjia do të jetë botim i The Stephen Gill World Peace Academy (Akademisë Botërore për Paqë të Stefan Gillit: http://stephengillworldpeaceacademy.-vebs.com/), ndërkaq redaktorë të pjesës së dytë të Antologjisë në fjalë janë Dr. Ram Shapra dhe Dr. Masam Sinha.
Poeti Mexhid Mehmeti është prezantuar edhe Almanakun e Poetëve të Botës të vitit 2010 (WORLD POETRY ALMANAC 2010), ku me poezitë e tyre janë përfshirë 188 poetë nga gjithësejt 101 shtete të botës. Almanaqku ka 330 faqe dhe është botuar në disa gjuhë të botës, ndërkaq editor i botimit është Dr. Hadaa Sendoo. ISBN: 978-99929-830-3-5. Botuar në maj 2011 në Ulaanbaatar të Mongolisë.
S’do mend se prezantimi më i denjë i Mexhid Mehmetit është bërë në librin “SELECTED POEMS” (Poezi të zgjedhura) në gjuhën kineze të përkëthyera nga Dr. Lee Kuei – Shien. Libri ka 118 faqe dhe është botuar në janar të vitit 2010 me këtë numër të ISBN: 978-986-221-332-2. Informacionet më të plota për këtë botim mund të merren në rrjetin e internetit http://openlibrary.org/books/OL23978170M/Selected_poems .
* * * * *
P.S.
MEXHID MEHMETI u lind më 1948 në Zhunicë të Preshevës. Filloren dhe gjimnazin i kreu në Preshevë, kurse fakultetin filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, në Universitetin e Kosovës në Prishtinë. Ishte mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe në qendrën arsimore “Skënderbeu” në Preshevë, në Tërnoc të Bujanocit, si dhe në shkollat fillore të Raincës, Corroticës dhe të Preshevës. Punoi edhe përkthyes – gazetar në “Flaka e vëllazërimit” në Shkup, kurse që nga viti 1985 e deri në përfundim të luftës së fundit në Kosovë punoi gazetar në “Rilindja” – “Bujku” (korrespodent nga Kosova Lindore).
Ishte njëri ndër themeluesit dhe redaktor i revistave “Filizat” e “Panorama” të Preshevës dhe “Jehona” të Bujanocit. Për një kohë të gjat
ë udhëhoqi klubin letrar “Feniks” të Preshevës dhe edicionin botues të këtij klubi, i cili është shquar me një sërë botimesh cilësore të autorëve të asaj treve. Pas luftës deri në shuarjen e së përditshmes “Rilindja” ishte gazetar dhe redaktor i rubrikës së kulturës.
Në periudhën 2005-2008, ishte anëtar i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Është edhe anëtar i Asociacionit të Poetëve të Botës.
Botoi: “Klithje e përmallim”, poezi, “Lumja”, tregime, “Frymëmarrje”, poezi, “Peizazh i ngrirë”, poezi, “Monstrumiada”, katër drama, “Presheva”, poemë, “Rikthim dhembjeje”, poezi, “Puthja vrastare”, tregime, “Hija e korbit”, novela, “Pikë në zemër”, poezi, “Shtatë ditë pas vdekjes”, roman, “Pallati me yje”, poemë për fëmijë, “Furtuna”, roman etj.
Është fitues i çmimit “Hivzi Sulejmani” për Prozën më të mirë të vitit 2006, për romanin “Shtatë ditë pas vdekjes”, të cilin e jep Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës. Është prezantuar në disa antologji poetike, tekste universitare, leksikone, albume, botime kritike etj., në shqip e gjuhë të tjera.