Ndërkaq, për qëndrimin e Bllacës në Preshevë nga 2007-2009, pra në territor të Serbisë, avokati Rrecaj ka diskutuar. Ai ka ngritur çështjen se përse Bllaca nuk ishte kapur nga shërbimi informativ serb, kur, sipas tij, dihet se çfarë shërbimi të fortë ka ky shtet dhe se ky shërbim ka informata për të gjithë ish-udhëheqësit e UÇK-së

 

Prishtinë,Preshevë,14 prill/ AIK-Presheva Jonë

 

Avokati Tahir Rrecaj e ka quajtur të mërkurën Nazim Bllacën dëshmitar të parapërgatitur nga prokurori ndërkombëtar.Sipas Rrecajt, ideja për incizimin e DVD-së, e cila u transmetua në mediumet elektronike, nuk ka qenë e Bllacës, por e prokurorit Theo Jacobs, i cili pas një takimi me Bllacën i kishte sugjeruar atij se për t’i akuzuar personat e përfshirë në vrasje duhet pasur fakte, e këto fakte është dashur të incizoheshin. Rrecaj ka folur të mërkurën para trupit gjykues në Gjykatën Supreme në pjesën e tretë të dëshmisë së dëshmitarit bashkëpunues, Nazim Bllacës, kundër Fahredin Gashit.

 

“Ju jeni dëshmitar i parapërgatitur, dhe se këtë incizim dhe të dhënat e tjera keni mundur t’i ruani në dhomën e dëshmive në Polici”, ka thënë Rrecaj.

Vetë Bllaca ka deklaruar se qëllimi i incizimit të kësaj DVD-je ka qenë që këto prova të mbeteshin diku nëse ai do të vritej, ndërsa për dhomën e dëshmive në Policinë e Kosovës, ai ka thënë me ironi se e di sesa e “sigurt” është kjo dhomë, duke aluduar në vjedhjen e famshme që pati ndodhur në këtë dhomë kohë më parë.
Avokati Rrecaj ka kontestuar personalitetin e Bllacës dhe bashkë me të edhe mundësinë që ai të dëshmojë kundër Gashit e të tjerëve, duke thënë se ai është i njohur për mashtrime, falsifikime, shantazhe, reketime. Gjykatësi kryesor e ka mbrojtur Bllacën, duke thënë se i tilli është një dëshmitar bashkëpunues dhe se i njëjti ka pranuar se ka qenë i përfshirë në vrasje dhe bazuar në këtë ai ka status special. Bllaca në lidhje me këtë kontestim të Rrecajt ka deklaruar se nga viti 1999 deri më 2008 kurrë nuk është ndeshur me ligjin dhe se s’ka pasur kurrfarë hetimi në lidhje me personalitetin e tij.

 

 “Një bastisje ka ndodhur në shtëpinë time më 2008, por unë nuk kam qenë në Kosovë”, ka thënë Bllaca

Versioni i vrasjes së Sali Gashit sipas Bllacës

Bllaca ka përshkruar sesi ka ndodhur vrasja e Sali Gashit. Ai thekson se me Fahredin Gashin është takuar një ditë para vrasjes së Gashit, në Krojmir dhe se atje janë marrë vesh që të nesërmen, më 15.06.1999, të takohen në Pjetreshticë.
“Të nesërmen ne e ngatërruam shtëpinë dhe në vend se të shkojmë te shtëpia e Sali Gashit, shkuam te shtëpia e Shefkiut, vëllait të tij. Kur trokitëm në derë doli një njeri dhe na njoftoi se ishim në adresë të gabuar. Ne ishim me maska, dhunë nuk përdorëm ndaj atij personi që të na jepte informata, por vetë pamja dhe armët tona e detyruan atë që të na dërgonte te shtëpia e Saliut”, ka thënë Bllaca.

Sipas Bllacës, natën e vrasjes nuk kishte rrymë dhe kur ishte hapur dera e shtëpisë së Sali Gashit, në korridor kishte një qiri të ndezur.  “Pasi u hap dera në korridor, ishin tre persona, njëri te dera dhe dy të tjerë filluan të dalin nga dhoma. Edhe pse ka qenë shumë shkurt, pyetja ka qenë: ku është Saliu? Shtëpia ishte me një format tradicional, dhe prej atyre që i njoha në korridor ishte Afrimi, i biri i Saliut, ndërsa dy femrat e tjera nuk i kam njohur. Por, në bazë të moshës së tyre njëra mund të ishte gruaja e Saliut, ndërsa tjetra mund të ishte e reja e tij, pra nusja e Fatmirit”, ka shtuar Bllaca.

Me t’u futur në dhomë, sipas Bllacës, dera e së cilës ishte gjysmë e hapur në të djathtë ishte i shtrirë në një shtrat viktima Sali Gashit “Faruku (siç e quan Bllaca Fahredinin) i tha i pari viktimës ‘eja me ne’, e mandej i thashë edhe unë që të ngrihej nga shtrati dhe të vinte me ne, sepse kishim shkuar ta marrim. Ai na u përgjigj se nuk mund të vinte, sepse ishte i sëmurë. Saliu u rrëzua në tokë dhe derisa po flisnim me të Fahredini hapi zjarr mbi të duke e qëlluar në kokë. Sa më kujtohet Fahredini ka pasur kallashnikov dhe gjithashtu edhe unë kam pasur armë të njëjtë. Me të shkrepur kallashi janë dëgjuar klithmat e familjarëve dhe fjalët ‘e vranë, e vranë, e vranë’. Këto klithma të familjarëve kanë qenë të mëdha”, ka thënë Bllaca. Por, sipas Bllacës, vrasja e Sali Gashit nga Fahredini nuk ishte vrasje që kishte të bënte me ndonjë problem personal a familjar ndërmjet këtyre të dyve, por për këtë vrasje Fahredini ishte urdhëruar nga zinxhiri më i lartë komandues i UÇK-së.

Bllaca: Dyshoja se do vritesha për 100 mijë euro

“Ky dyshim ka lindur pas kontaktit telefonik që kam pasur me Hysri Ramën, person me të cilin kam lidhje familjare, meqë derisa isha në hyrje të Prishtinës, ai më ftoi për kafe në ‘Fellini’. Pasi erdha në Prishtinë nuk kam mundur ta marr në telefon dy ditë dhe në bazë të kësaj më lindi dyshimi se ishte i përgatitur një atentat kundër meje dhe nuk shkova në ‘Fellini’ fare”, ka thënë Bllaca. Ndërsa, ai thotë se më 2007 nuk ka pasur informata të sakta nëse dikush nga grupi ka qenë i paguar 100 mijë euro për ta vrarë atë, por se ka pasur një plan të tillë ai është i bindur.

“Në atë kohë s’e kam ditur nëse Rama do të ishte autori i atentatit që do të bëhej për të më vrarë, por pastaj unë u takova me të dhe ai më tregoi për rrezikun që më kanosej dhe i besova atij”, ka thënë Bllaca. Ndërkaq, për qëndrimin e Bllacës në Preshevë nga 2007-2009, pra në territor të Serbisë, avokati Rrecaj ka diskutuar. Ai ka ngritur çështjen se përse Bllaca nuk ishte kapur nga shërbimi informativ serb, kur, sipas tij, dihet se çfarë shërbimi të fortë ka ky shtet dhe se ky shërbim ka informata për të gjithë ish-udhëheqësit e UÇK-së. Në lidhje me këtë Bllaca tha se e kuptonte luftën speciale të avokatit Rrecaj, luftë e cila, sipas tij, nuk ndryshon fare nga deklaratat e kryeministrit Thaçi.

SHPËRNDAJE