7 dhjetor, 2020 – Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka qëndruar sot për vizitë në Slloveni tek presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin. Ademi është pritur në shtëpinë e këtij të fundit në Grosuplje, në një atmosferë krejtësisht shoqërore dhe familjare.
Gjatë këtij takimi ata diskutuan për situatën e futbollit kosovar dhe për rrjedhat në FFK. Presidenti Ademi kërkoi nga presidenti Çeferin përkrahje nga UEFA, sidomos në këtë periudhë, duke e ditur gjendjen e vështirë nëpër të cilën po kalon vendi ynë si pasojë e pandemisë COVID-19, por edhe për projektet në vazhdim të FFK-së. Me këtë rast, presidenti Çeferin, duke e quajtur presidentin Ademi si mik të vërtet dhe punëtor të madh, shprehu gatishmërinë e tij dhe të UEFA-s për mbështetje të FFK-së, si dhe për realizimin e kërkesës së FFK-së për prezantim me kuadro në kuadër të UEFA-s. Po ashtu, Çeferin theksoi se e ka përcjellë ecurinë e Kombëtares së Kosovës dhe lavdëroi ekipin për ndeshjet e zhvilluara në kohë pandemie, teksa u shpreh se është i vetëdijshëm se kjo pandemi e ka dëmtuar në masë të madhe FFK-në, sikurse gjithë futbollin botëror. Presidenti Çeferin lavdëroi edhe punën e FFK-së, e cila ka arritur t’i zhvillojë garat në të gjitha kategoritë përkundër situatës së vështirë me COVID-19, teksa theksoi se kjo ishte edhe moto e UEFA-s që futbolli të vazhdojë të luhet. Në fund, presidenti Çeferin shtroi drekë për presidentin Ademi dhe delegacionin e FFK-së.