1 shtator, 2023 – Gjatë qëndrimit të tij në Monte Carlo për shortin e fazës së grupeve në garat evropiane për klube, presidenti Agim Ademi ka pasur një takim të rëndësishëm me presidentin e UEFA-s, Aleksandër Çeferin. Ky takim ka qenë një mundësi për të diskutuar për zhvillimin e futbollit në Kosovë dhe projektet e përbashkëta me qëllim të avancimit të mëtejmë të futbollit.
Presidenti Ademi e ka shprehur falënderimin e tij ndaj presidentit Çeferin për mbështetjen e vazhdueshme që UEFA ka ofruar për futbollin në Kosovë, si dhe për besimin që ky institucion ia ka dhënë Federatës së Futbollit të Kosovës për organizimin e programit UEFA CFM.
Nga ana e tij, presidenti Çeferin e ka përgëzuar presidentin Ademi për suksesin e FC Ballkanit në arritjen e fazës së grupeve në Ligën e Konferencës dhe ka inkurajuar Federatën e Futbollit të Kosovës dhe klubet kosovare të vazhdojnë të punojnë në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe infrastrukturore me qëllim të ngritjes së vazhdueshme të nivelit të futbollit vendor.
Takimi në Monte Carlo ka përfshirë edhe të dy anëtarë të rëndësishëm të familjes së futbollit në rajon, Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe anëtarin e KE të UEFA-s, Armand Duka, si dhe presidentin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë Veriore, Muamed Sejdini.
Gjatë takimit janë diskutuar gjithashtu projektet e përbashkëta të federatave dhe krijimi i mundësive për gjithëpërfshirje në futboll, si dhe rritja e kapaciteteve të infrastrukturës së futbollit në rajon.
Ky takim vuri në pah angazhimin e vazhdueshëm të FFK-së në zhvillimin e futbollit dhe bashkëpunimin e ngushtë me UEFA-n në këtë drejtim.