Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka organizuar një event madhështor për ndarjen e çmimeve “Topi i Artë”, ku janë përzgjedhur më të mirët e vitit në futbollin shqiptar. Në këtë ceremoni prestigjioze ka marrë pjesë edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), z. Agim Ademi, i cili ka përgëzuar FSHF-në dhe fituesit përmes një postimi në Facebook.
Në mesazhin e tij, z. Ademi ka shprehur vlerësimet më të larta për organizimin e këtij eventi dhe për punën e shkëlqyer të ekipit të FSHF-së, duke theksuar rëndësinë e vlerësimit të arritjeve në futboll.
“Urime më të mira FSHF-së për organizimin e eventit madhështor ‘Topi i Artë’! Përgëzime mikut tim, Armand Duka, dhe ekipit të tij për punën e shkëlqyer në përzgjedhjen e më të mirëve të vitit në futbollin shqiptar.” – shkruan z. Ademi.
Ai ka ndarë gjithashtu përgëzime të sinqerta për futbollistët dhe futbollistet e përzgjedhur si më të mirët e vitit, duke i inkurajuar ata të vazhdojnë të punojnë me përkushtim dhe të jenë një shembull frymëzues për gjeneratat e reja.
“Gjithashtu, përgëzime të sinqerta për futbollistët dhe futbollistet e përzgjedhur! Uroj që ky vlerësim t’ju shërbejë si motiv shtesë për të punuar më shumë dhe si shembull frymëzues për të rinjtë dhe të rejat që ëndërrojnë të ecin në këtë rrugë.”
Përveç ndjekjes së eventit, z. Ademi ka pasur edhe kënaqësinë të takohet me këngëtaren e mirënjohur shqiptare, Ana Oxa, e cila ishte pjesë e ceremonisë. Ai e ka cilësuar atë si një shembull të shkëlqyer të patriotizmit dhe dashurisë për origjinën shqiptare.
“Kisha gjithashtu kënaqësinë të takoja këngëtaren e madhe shqiptare, Ana Oxa, e cila gjithmonë ruan krenarinë për origjinën e saj shqiptare. Patriotizmi dhe dashuria e saj për atdheun duhet të jenë një shembull frymëzues jo vetëm për artistët, por edhe për sportistët tanë.”
Eventi i “Topit të Artë” i organizuar nga FSHF konfirmon edhe një herë rolin e rëndësishëm të sportit në promovimin e talenteve dhe frymëzimin e të rinjve në hapësirën shqiptare.