Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim ambasadorin e Norvegjisë në vendin tonë, Sverre Johan Kvale, i cili është në përmbyllje të misionit të tij
Presidentja Jahjaga tha në takim se çmon shumë përkrahjen e Norvegjisë për Kosovën. Roli i Norvegjisë në rajon, tha ajo, është në përkrahje të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit.
Kosovës i nevojitet përkrahje që të mos mbetet e izoluar dhe ne e falënderojmë Norvegjinë për ndihmën e tyre në këtë drejtim, theksoi Presidentja Jahjaga.
Ajo gjithashtu shtoi se e ardhmja e tërë rajonit, përfshirë Republikën e Kosovës, është në BE dhe NATO.
Ambasadori i Norvegjisë në vendin tonë, Sverre Johan Kvale, u shpreh i kënaqur që ka shërbyer në Kosovë, duke përfaqësuar vendin e tij.
Ai shtoi se Norvegjia do ta përkrahë Kosovën me programe zhvillimore, duke e ruajtur nivelin e mbështetjes së tanishme.
Norvegjia do ta përkrah Kosovën në rrugën e liberalizimit të vizave dhe integrimit evropian, theksoi ambasadori Kvale.