Bujanoc, 20 mars – Në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc, të hënën, është promovuar libri me punimet shkencore “Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe të trojeve etnike në ish-Jugosllavi, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore” e botuar nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari e Luginës së Preshevës, të kryesuar nga Xhemaledin Salihu, njofton agjencia e lajmeve “Presheva jonë”.
Duke elaboruar për historikun e kësaj shoqate, kryetari i saj, Xhemaledin Salihu, theksoi se libri është një trashëgimi e cila do t’i mbetet shumë gjeneratave të reja të cilët do të kenë në duart e tyre një hulumtim shkencor kushtuar një periudhe shumë të mundimshme të popullit shqiptarë të këtyre trojeve. Sipas Salihut, libri është një dokument i një rëndësie të veçantë që autorët dhe pjesëmarrësit e Konferencës Shkencore e cila u mbajt në Preshevë më 12 dhe 13 dhjetor në vitin 2014, i bënë dhuratë qytetarëve të Luginës së Preshevës. Për vlerën dhe rëndësinë këtij libri, folën edhe profesor Rexhep Abazi nga Medvegja, drejtori i gjimnazit, njëherësh dhe poeti, Nexhat Rexha, nga Kamenica, të cilët thanë se ky libër ka një rëndësi me peshë të madhe për të kaluarën historike të Luginës së Preshevës dhe të trojeve të tjera etnike në ish-Jugosllavi, gjatë mbarimit të luftës së dytë botërore dhe pas saj.
Sevdail Hyseni: Ky libër është një kontribut i çmuar për brezat e tashëm dhe të ardhshëm, të cilët do të mësojnë për të kaluarën e hidhur, por krenare të popullit tonë liridashës, që i ra hise historike dhe politike të kaloi nëpër këto dyer të tragjedisë njerëzore
Pjesëmarrës në këtë manifestim ishin aktivistë të ndryshëm të jetës shoqërore nga Lugina e Preshevës nga Kosova dhe nga Maqedonia. Jonuz Fetahaj redaktor dhe lektor këtë libër e cilësoi si një krijimtari shkencore me vlera të veçanta historike e cila i jep pak dritë fakteve dhe ngjarjeve e mundimeve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në periudhën e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Fetahaj duke i dhënë kurajë krijimtarisë shkencore të këtij rajoni e më gjerë, tregoi një fjalë të urtë popullore has shqiptare: “Dimri pa borë, drapri në fushë s`ka me korrë”. Për librin fjalën përmbyllëse e tha Sevdail Hyseni, kryetar i Shoqërisë Civile “Perspektiva”, nga Lugina e Preshevës duke e vlerësuar si një nga veprat e rëndësishme shkencore të këtij rajoni, që ka elaboruar e shtjelluar në mënyrë shumë të hollësishme gjendjen e shqiptarëve në këtë rajon.Duke elaboruar për historikun e kësaj shoqate, Hyseni theksoi: Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës, është shoqatë e pavarur pa ngjyrime politike e cila gjithnjë po dëshmohet për veprimtaritë e saj me interes të zhvillimit dhe afirmimit të vlerave kulturore shqiptare në Luginë dhe rrethinë.
Kjo shoqatë kulturore dhe kryetari i saj Xhemaledin Salihu, në emër i përmendur për hulumtimin dhe promovimin e materialit të trashëgimisë kulturore, jo vetëm në Luginë të Preshevës, letërsisë shqiptare i dhuroi një thesar të pasur të veprave dhe punimeve shkencore. Këto të arritura të shoqatës për trashëgimi dhe krijimtari kulturore, po bëhen falë angazhimit edhe të anëtarëve të shoqatës të cilët bashkërisht kanë botuar 7 libra shkencorë, kanë organizuar 6 konferenca shkencore, si dhe kanë publikuar me qindra kumtesa, të cilat jo rrallë janë shpërblyer me mirënjohje dhe certifikata. Një nga veprat e rëndësishme shkencore, vlerëson Hysni është edhe libri me kumtesa, të përmbledhura nga konferenca shkencore me titull: “Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe trojeve etnike në ish-Jugosllavi, në mbarim të luftës së dytë botërore”. Ky libër me kumtesa konferenciale ka një peshë të madhe për të kaluarën historike të Luginës së Preshevës dhe të trojeve të tjera etnike në ish-Jugosllavi, gjatë mbarimit të luftës së dytë botërore dhe pas saj. Brenda kopertinave të këtij libri prej 300 faqesh janë përmbledhur 25 kumtesa të karakterit historik kulturor, politik dhe informativ, 25 punëtorë shkencorë nga viset e etnikumit shqiptarë kanë hedhur dritë mbi faktet ngjarjet dhe personalitetet të cilat e kanë karakterizuar periudhën e asaj kohe.
Nëpër këto kumtesa është përshkruar gjendja e rëndë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe trojeve të tjera etnike në ish-Jugosllavi. Marrëdhëniet e acaruara shqiptaro-serbe, masakrat dhe terrori ndaj shqiptarëve në mbarim të luftës së dytë botërore, rezistenca e armatosur e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përpjekjet për çlirim dhe bashkim kombëtar, shpresat dhe zhgënjimet e shqiptarëve pas mbarimit të luftës së sytë botërore. Libri me kumtesa shkencore për Luginën dhe shqiptarët në ish-jugosllavi, sipas Hysenit është një kontribut i çmuar për brezat e tashëm dhe të ardhshëm, të cilët do të mësojnë për të kaluarën e hidhur, por krenare të popullit tonë liridashës, që i ra hise historike dhe politike të kaloi nëpër këto dyer të tragjedisë njerëzore. Nga 25 kumtesave shkencore të përmbledhura brenda kopertinave të këtij libri 15 kumtesa janë kryesisht të përkushtuara rreth ngjarjeve të mbarimit të luftës së dytë botërore, ndërsa 10 kumtesat e tjera shkencore i kushtohen më tepër ngjarjes së asaj kohe të zhvilluar në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.
Libri konferencial fillon me punimin shkencor të dr. Ilir Zylfiut me titull: Okupimi Bullgar në komunën e Preshevës, gjatë luftës së dytë botërore, për të vazhduar me punimin tjetër: Zhvillimet politike ushtarake në Luginën e Preshevës shtator-tetor 1944, të autorit Qerim Lita. Të kësaj natyre janë edhe punimet: Lufta e përbashkët e vullnetarëve të shqiptarëve të Karadakut të Preshevës e Kumanovës në mbarim të luftës së II botërore të dr. Sevdail Demirit dhe konflikti shqiptaro-serb dhe rëndësia e pozitës së Luginës së Preshevës të dr. Nebi Islami. Fakte dhe dëshmi për rezistencën e armatosur të Karadakut në juglindje të Kosovës gjatë viteve 1941-1951, sjell kumtesa e Nijazi Ramadanit. Me peshë të madhe historike, kulturore e politike janë kumtesat e Zeqirja Fazliut, e Ismet Bajramit, mr. Xhait Ramadanit, Xhemaledin Salihut, Shkëlzen Limani, Arditë Behluli, Albin Sadiku, Skënder Latifi, dr. Hatixhe Ahmeti e mr. Refik Hasani. Këto ngjarje historike nuk do të kishin kuptim të plotë sikur të mos ndërlidhen në mënyrë sinkronike me ngjarjet e zhvilluara në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, në periudhën e mbarimit të luftës së dytë botërore. Kumtesat shkencore, të cilat në vete ngërthejnë fakte e dëshmi nga një periudhë kalojnë kufijtë e sundimeve të ndryshme.
Faktorët politikë dhe përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për sovranitet në mbarim të luftës së dytë botërore të autorit prof. Hajrullah Mustafa, pastaj kumtesat e tjera shkencore të autorëve: dr. Nebi Dërvishi, dr. Vebi Xhemaili, Driton Tika, Ilmi Veliu, Shefki Selmani, dr. Veton Zejnullahu, dr. Mustafë Haziri, Fazli Hajrizi e mr. Shpend Avdiu, paraqesin një thesar të pasur të historiografisë shqiptare, vlerëson Hyseni. Libri me kumtesa shkencore përmbyllet me urimet dhe përgëzimet lidhur me organizimin dhe mbajtjes së konferencës shkencore dy-dytore më 12 e 13 dhjetor 2014 në Preshevë. Besojmë se libra të ngjashëm me karakter shkencor do të na sjellë edhe në të ardhmen Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës, përfundoi fjalën e tij përmbyllëse, Sevdail Hyseni, kryetar i Shoqërisë Civile “Perspektiva”, nga Lugina e Preshevës. Për të pranishmit u prezantua edhe një program kulturor ku disa të rinj (nxënës të shkollës së mesme “Sazai Surroi” të Bujanocit), recituan poezi me karakter kombëtar, e që e madhështuan këtë promovim të kësaj shoqate./ Metali Krasniqi