Shkruan: Deputet Hisen Berisha
Protesta për dinjitet në Kosovën Lindore, e cila u mbajt pas më shumë se 10 vitesh mungesë organizimi në Luginë, ngre disa çështje të rëndësishme për t’u vlerësuar. Ndërsa shqiptarët në Luginë kanë qëndruar të heshtur për kaq gjatë, organizimi i kësaj proteste përputhet me kohën kur serbët në Beograd po protestojnë kundër Vuçiqit. Kjo situatë mund të shfrytëzohet nga Vuçiq për të krijuar një paralelizëm midis pakënaqësisë së protestuesve serbë dhe shqiptarëve në Luginë, duke përfituar politikisht nga kjo për të justifikuar qëndrimet e tij. Kjo lëvizje, ndonëse ndoshta e domosdoshme për vetëdijesimin dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore, duhet të bëhet me kujdes që të mos i shërbejë narrativës së Vuçiqit. Protesta për dinjitet është një hap i rëndësishëm, por duhet të kuptohet edhe konteksti politik në të cilin po ndodh, si dhe pasojat e mundshme që mund të shkaktojë.
Nëse Kurti i sfidon qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë, dhe ditët në vazhdim i përballë me hapjen e Urës së Ibrit, atëherë gjithçka është e koordinuar me pritjet e Vuçiqit, i cili deklaroi se “e pret hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Kosovë, më 14 ose 15 gusht, si dhe instalimin e liderëve të rinj serbë në këtë vend, nga forcat e huaja, duke iu referuar takimit të Kurtit me përfaqësuesit e QUINT dhe qëndrimeve që kanë mbajtur bashkë me KFOR-in, por pa ofruar ndonjë dëshmi”. Pra, po i bëhen favore direkt Vuçiqit pasi ai po përballet me protesta në Serbi. Kjo ngjan në plotni me majin e 2023-ës, kur Vuçiq kërcënohej nga Wagnerët rusë, e shpëtimin e gjeti te revoltat që i shkaktoi në Veri Qeveria Kurti.
Çdo eskalim i situatës në Veri është jetëgjatësi për Vuçiqin.