Prishtinë – Shkëmbimi i territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë, sipas idesë se akademikut Rexhep Qosja, është kundërshtuar nga Qeveria e Kosovës, partitë opozitare në vend, analistë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare.
Qosja në një intervistë për një agjenci të lajmeve kishte deklaruar se për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së shqiptarëve, Lugina e Preshevës duhet t’i bashkëngjitet Kosovës, pjesa veriore e Kosovës duhet t’i bashkëngjitet Serbisë.
Por, autoritetet qeveritare në Kosovë janë kundër çdo ndërrimi territorial.
“Ne si Qeveri kemi shprehur disa herë qëndrimin tonë. Respektojmë tërësinë territoriale”, ka thënë për “Lajm” zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
Ndërsa, sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri nga LDK, pohon se partia tij nuk dëshiron t’i komentojë qëndrimet e individëve, por thotë se nuk pajtohen me shkëmbim territoresh.
“Zgjidhja e vetme është brenda pakos së Ahtisaarit dhe Kushtetutës për ruajtjen e sovranitetit dhe territorit. Nuk do të thotë se ne nuk kemi shqetësime për gjendjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Mal të Zi e Maqedoni. Por, ne si LDK nuk pranojmë shkëmbime territoresh, sepse dezintegrimi i kufirit do të shkaktonte probleme zinxhirore”, tha Beqiri për “Lajm”.
Kurse, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, vlerëson se Institucionet e Kosovës duhet të shtrihen në veri të vendit, tek atëherë do të mund të hapet ndonjë debat për shkëmbim territoresh.
“Qeveria duhet të shtrijë autoritetin e saj në veri, në mënyrë që të ketë funksionim normal të shtetit në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Tek më pastaj po qe se hapen tema të këtilla, mund të diskutohen, por pas vendosjes së legjitimitetit dhe funksionimit të shtetit në Veriun e Kosovës. Megjithatë ne nuk kemi territore për të falur, apo për të ndërruar. Por kemi nevojë që territoret tona t’i mbajmë, dhe po ashtu të funksionojë shteti”, tha Isufi.
Ndërsa analisti i njohur shqiptar dhe kryetari i Listës Shqipëria Natyrale, dr.Koço Danaj, është i prerë në qëndrimet e tij, duke thënë se shqiptarët sot duhet të bisedojnë për bashkim me Shqipërinë, e jo shkëmbim territoresh. Ai thotë se Lista për Shqipëri Natyrale, pranon të ulet dhe të bisedojë me fqinjët apo edhe bashkësinë ndërkombëtare duke pasur një dysheme të palëvizur.
“Kjo dysheme politike është akti juridik i pavarësisë se Shqipërisë Natyrale i shpallur më 28 nëntor 1912, që shpalli kufijtë e Shqipërisë natyrale nga Presheva në Prevezë dhe nga Durrësi në Shkup. Pra, bisedime mund të bëhen vetëm kur të pranohet nga 6 fuqitë e mëdha që më 1913 kanë bërë barbarizëm dhe gjenocid mbi shqiptarët, duke i copëtuar në 5 pjesë, kur të pranohet Akti Juridik i Qeverisë së Vlorës që krijoi Qeverinë e Shqipërisë Natyrale, Kuvendin e Shqipërisë Natyrale, policinë dhe ushtrinë e saj”, tha Danaj për “Lajm”, duke shtuar se jashtë këtij akti juridik, Lista për Shqipëri natyrale, të gjitha deklarimet, propozimet apo qëndrimet e shprehura i konsideron kundërhistorike.
“Pjesa në fillim bashkohet me të tërën, jo të ricopëtohet në mënyrë demokratike. Kosova, Shqipëria Lindore në Maqedoni, Lugina e Preshevës janë pjesë të Shqipërisë Natyrale. Shqiptarët sot duhet të flasin për bashkim në Shqipërinë Natyrale dhe jo për shkëmbim territoresh shqiptare. Viti 2012 është vit i shqiptarëve, Shqipëria Natyrale tashmë është një realitet, edhe fuqitë e mëdha, këtë vit, apo vitin tjetër do të pranojnë të anulojnë Londrën 1913”, thotë Danaj.
Analisti Ilir Ibrahimi mendon se në këtë rast duhet nisur nga parimi se kufijtë nuk janë një gjë që nuk mund të ndryshohet kurrë.
“Këtu bëjnë pjesë edhe çështja e veriut të Kosovës dhe Lugina e Preshevës. Komuniteti ndërkombëtar ka hedhur poshtë çdo ndryshim kufijsh në Ballkan, duke pasur parasysh që kjo mund të zgjojë apetite edhe në vende të tjera të Ballkanit, prandaj edhe politikanët kanë qenë të rezervuar për ta trajtuar këtë çështje, por, personalisht mendoj që kjo tezë e hedhur nga akademik Qosja duhet të merret seriozisht nga politikëbërësit tanë”, tha për “Lajm”, Ibrahimi, duke shtuar se qeveria në Beograd në të afërmen nuk do të arrijë t’u japë të drejta shqiptarëve të Luginës, çfarë u jep Kosova minoritetit serb.
Sipas tij, nëse Serbia dhe Kosova mund ta gjejnë një gjuhë të përbashkët në shkëmbimin e territoreve, kjo është e realizueshme, sidomos nëse ajo çon drejt zgjidhjes së dy problemeve, me të cilat ballafaqohen të dy shtetet.
Ndërsa, analisti Halil Matoshi, mendon se ndërrimi i territoreve mes Serbisë dhe Kosovës krijon presedan dhe rrezikon Maqedoninë.Lajmonline
————————
JA EDHE KOMENTET E JUAJA: