Një qytetar shqiptar nga Kosova, Endrit Elmazi, ka publikuar së fundmi një letër të hapur drejtuar Ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, duke ngritur shqetësime serioze lidhur me trajtimin juridik dhe burokratik që po u bëhet kosovarëve në Gjermani. Letra e tij, e cila ka prekur shumë lexues dhe ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, sjell në pah një problematikë të vazhdueshme me të cilën përballen shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
Një trajtim absurd dhe fyes
Elmazi thekson se në regjistrat zyrtarë në Gjermani, ai dhe shume shqiptarë tjerë nga Kosova figurojnë si qytetarë me dy kombësi: “shqiptare” dhe “serbe”. Kjo situatë absurde buron nga mosnjohja e plotë e pavarësisë së Kosovës dhe vazhdon të shkaktojë tensione dhe shqetësime tek diaspora shqiptare.
“Kohët e fundit, u detyrova të deklaroj me shkrim se nuk ndihem serb dhe nuk jam serb. Për më tepër, më është kërkuar që të marr leje nga Serbia për të martuar – një kërkesë që është jashtëzakonisht fyese për dinjitetin tim dhe për identitetin tim si shqiptar nga Kosova,” shkruan Elmazi.
Një thirrje për veprim urgjent
Në letrën e tij, Elmazi i bën thirrje Ministres së Punëve të Jashtme që të ngrijë këtë çështje me autoritetet ndërkombëtare, duke theksuar se trajtimi i kosovarëve si qytetarë të Serbisë në dokumentet ndërkombëtare është i papranueshëm.
“Pavarësia e Kosovës nuk është vetëm një çështje juridike, por edhe një çështje dinjiteti për secilin prej nesh. Si mund të lejojmë që, 16 vite pas shpalljes së pavarësisë, shqiptarët e Kosovës të trajtohen ende si shtetas të Serbisë?” pyet ai me indinjatë.
Ministria e Punëve të Jashtme ende nuk ka reaguar publikisht lidhur me këtë çështje, por qytetarët presin veprime konkrete për të siguruar që qytetarët e Kosovës të trajtohen me respektin dhe dinjitetin që meritojnë në arenën ndërkombëtare.