(AIk-presheva Jone)
Në një deklaratë për shtyp të mbajtur para pak castesh, Rama është shprehur se gazetarë të ndryshëm po shantazhohen në mënyrë mafioze nga kreu i qeverisë.
“Ky pushtet po provon se nuk ndalet me qëllim që të asgjesojë cdo pushtet jashtë kontrollit të vetë. Janë 4 gazetarë, që njëri pas tjetrit, Saliu i ka sulmuar publikisht duke u cënuar personalitetin, familjen e duke u bërë shantazhe mafioze, një herë me një gjobë ndaj Top Channel dhe një herë duke mbyllur gazetën “Tema””, ka deklaruar Rama.
Sipas tij, kreu i qeverisë po mbron autorët e vrasjeve të 21 janarit dhe po sulmon ata që nuk u binden urdhërave të tij. “Këto veprime tregon se saliu po lan hesapet me një puç imagjinar, por që në fakt është një grusht i mirëfilltë shteti i udhëhequr nga i ashtuquajturi kryeministër”, ka pohuar Rama.
“Garda vret, policia nuk arreston ata që vrasin, Saliu që sulmon të gjithë dhe përditë zyrtarë e gazetarë të padëshiruar. Çdo ditë që kalon nxjerr në pah kauzën tonë, se Shqipëria është vjedhur dhe privohet nga liritë e saj më themelore”, ka vijuar ai, duke rikonfirmuar edhe protestën e planifikuar për më 4 shkurt.
“Por Shqipëria nuk mund të rrihet e vidhet deri në pikën sa të pranojë partinë-shtet. Ajo është e gatshme të luftojë kundër matrapazllëkut dhe kusarisë në pushtet. Edhe gazetarët dhe të gjithë ata që janë vrarë, plagosur, rrahur e mëpërkëmbur në vite sundimi cnjerëzor në pushtet, të premten do të dalin me ne në rrugën e rezistencës paqësore, në Lezhë, Vlorë, etj. Kjo është beteja jonë bashkë me popullin”, ka shtuar Rama.