Gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lideri politik Ramush Haradinaj zhvilloi një vizitë të rëndësishme në Legjionin Amerikan, ku u prit nga drejtues të lartë të kësaj organizate.

Në këtë takim, z. Haradinaj u prit nga Drejtori Ekzekutiv i Legjionit Amerikan, Mario Marquez, drejtori Joseph C. Sharpe Jr., dhe Besa Pinchoti, Shefja Ekzekutive për Familjet Ushtarake.

Gjatë vizitës, z. Haradinaj u njoh nga afër me punën që kjo organizatë bën për të mbështetur veteranët, strukturat organizative, rregulloret e punës, si dhe kuadrin ligjor që rregullon funksionimin dhe financimin e saj. Ai pati rastin të mësojë më shumë për shtrirjen dhe rëndësinë që Legjioni Amerikan ka në mbështetjen e veteranëve, familjeve të tyre dhe familjeve të të rënëve në mbrojtje të demokracisë dhe interesave kombëtare të SHBA-së.

Legjioni Amerikan, si një prej organizatave më të mëdha dhe më të respektuara të veteranëve në SHBA, luan një rol kyç në kujdesin për ata që kanë shërbyer në forcat e armatosura dhe në ruajtjen e vlerave të demokracisë dhe lirisë.

Kjo vizitë e Ramush Haradinajt në SHBA dhe bashkëpunimi me organizata të tilla si Legjioni Amerikan, pasqyron përkushtimin e tij për të thelluar marrëdhëniet e Kosovës me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, si dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi që promovojnë vlera dhe interesa të përbashkëta.

Vizita dhe bashkëbisedimet e zhvilluara janë një dëshmi e përkushtimit të Haradinajt për të fuqizuar bashkëpunimin me aleatët kryesorë të Kosovës dhe për të mësuar nga modelet më të suksesshme të organizimit dhe mbështetjes së veteranëve, si pjesë e përpjekjeve të tij për të përmirësuar mbështetjen ndaj kësaj kategorie edhe në Kosovë.

SHPËRNDAJE