Ministri i Sportit vazhdon me premtime boshe: Asnjë projekt i përfunduar pas 4 vitesh!

 

 

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes një postimi në Facebook, ka publikuar një raport mbi të ashtuquajturin plan pesëvjeçar për konsolidimin e infrastrukturës së futbollit në Kosovë. Megjithatë, pavarësisht toneve triumfuese, realiteti në terren tregon një situatë krejt tjetër – stadiumet mbeten kryesisht projekte në letër, me premtime të njëpasnjëshme që nuk janë përmbushur.

Postimi flet për mbi 200 milionë euro investime dhe projekte në 18 komuna, por shumica e tyre  nuk kanë filluar fare. Ministri përmend:

  • Stadiumin “Adem Jashari”, Mitrovicë, i cili pas katër vitesh ende është në fazën e punimeve fillestare.
  • Stadiumin Nacional, i cili mbetet vetëm si ide, me “negociata për kredi” që po zvarriten prej vitesh.
  • Stadiume si ato në Gjilan, Ferizaj, Pejë dhe Prizren, të cilat janë ende në faza të hershme të vlerësimit ose kontraktimit.

Prej 20 stadiumeve të përmendura, shumë pak projekte kanë lëvizur. Stadiume si ai i Shtimes apo Malishevës janë përmendur si të përfunduara pjesërisht, ndërsa shumica e komunave presin ende fillimin e punimeve. Në anën tjetër, shifrat e investimeve të zotuara vazhdojnë të fryhen, por rezultatet konkrete mungojnë.

Kritika nga qytetarët dhe klubet e futbollit

Qytetarët dhe përfaqësuesit e futbollit kanë reaguar ashpër, duke e akuzuar ministrin për papërgjegjësi dhe për fokusim vetëm në promovime mediatike. “Nga viti 2019 po dëgjojmë të njëjtat premtime. Stadiumet tona mbeten të papërdorshme, dhe ligat zhvillohen në kushte të mjerueshme,” ka thënë një drejtues klubi futbolli nga Prizreni.

Në vend që të sjellë rezultate konkrete, MKRS po vazhdon me një qasje ku planet dhe strategjitë shumëvjeçare përdoren si justifikim për mungesën e punës reale. Nëse ky ritëm vazhdon, infrastruktura e futbollit në Kosovë do të mbetet ende prapa rajonit për vite të tëra.

SHPËRNDAJE