Jo Negociata – VETËVENDOSJE!
Sot, më 12 mars, Lëvizja VETËVENDOSJE! filloi fushatën e saj për vetëdijësimin e qytetarëve të Kosovës për dëmin që po i shkaktohet vendit me fillimin e negociatave të reja me Serbinë. Në kuadër të kësaj fushate, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! shpërndanë fletushka në qendër të qytetit në Prishtinë, në të cilat rradhiteshin arsyet se pse nuk duhet negociuar me Serbinë:
-
Negociatat e integrojnë Serbinë në BE
-
Negociatat e krijojnë republikën serbe përbrenda Kosovës
-
Negociatat e bëjnë Kosovën të kontrolluar nga Serbia
-
Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës
-
Serbia nuk po e ndryshon kushtetutën e saj ku shkruan se Kosova është pjesë e Serbisë
-
Serbia nuk i ka kërkuar falje Kosovës për krimet ndaj shqiptarëve përgjatë gjithë shekullit XX
-
Serbia nuk na i ka dorëzuar kriminelë serbë të luftës
-
Serbia nuk na i ka kthyer trupat e rreth 1800 të pagjeturve dhe nuk jep informacione për ta
-
Serbia nuk na i ka paguar dëmet e luftës dhe të okupimit
-
Serbia ua shkel të drejtat shqiptarëve autoktonë në Luginën e Preshevës dhe i shtyp ata
-
Serbia vazhdon t’i financojë strukturat e saj ilegale në Kosovë
-
Serbia nuk na e ka kthyer fondin pensional, depozitat bankare të qytetarëve të Kosovës dhe librat kadastralë
-
Në Serbi janë dhjetëra mijëra kriminelë serbë të luftërave të viteve 90, që shetisin të lire dhe të pacenuar nga prokuroria e shtetit.
Ky aktivitet u mirëprit nga qytetarët e Prishtinës. Aktivitete të ngjashme do të organizohen edhe nëpër qendra të tjera në Kosovë, përgjatë tërë fushatës.
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Sekretariati për Media dhe Komunikim