Disa këngëtarë të njohur, gjatë javës që kaloi nuk kanë mundur të udhëtojnë drejt Londrës për të mbajtur koncerte atje, pasi Ambasada Britanike në Prishtinë ua ka ndalur udhëtimin për një vit rresht, për shkak të keqpërdorimit të vizave. Bëhet fjalë për këngëtarët Sabri Fejzullahu, Teuta Selimi, Shkëlzen Jetishi dhe Shpat Kasapi, të cilëve Ambasada Britanike ua kishte rrefuzuar vizat me arsyetimin se ata kanë keqpërdorur vizat, pasi në shtetin britanik kanë qëndruar me viza turistike, ndërsa kanë kryer aktivitete përfitimi të cilat quhen ilegale me këto lloj vizash. Nuk është hera e parë që këngëtarët tanë përballen me probleme gjatë marrjes së vizave, pasi nuk mund të udhëtojnë pa viza nëpër vende të ndryshme e posaçërisht në vende që kanë regjim të fortë, ku kërkohen dokumente shtesë e, në rast se në kufi dhe në aeroport tregojnë së kanë udhëtuar për koncerte, atëherë ata mund edhe të kthehen mbrapsht, pasi nuk kanë viza pune. Një rast i ngjashëm i ka ndodhur edhe Noizy-t, së bashku me disa anëtarë të grupit gjatë udhëtimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për koncerte. Veçanërisht kjo ndodh me këngëtarët nga Kosova, të cilët e kanë shumë problem udhëtimin në shtetet “Shengen”, pasi ka vende që ende nuk e kanë pranuar Kosovën si shtet. Sabri Fejzullahu dhe Shkëlzen Jetishi shpesh kanë hasur të njëjtin problem gjatë karrierës së tyre, ndërsa Teuta Selimi edhe pse poqëndron në shtetin zviceran, si duket për qëndrim në këtë vend nuk e ka pasur problem deri në momentin që Zvicra ka lejuar udhëtimin dhe qëndrimin edhe me vizë “Shengen”.

Shpat Kasapi, i cili disponon pasaportën e Republikës së Maqedonisë, udhëtimin në vendet “Shengen” nuk e ka pasur problem për faktin se Bashkimi Europian ia ka larguar regjimin e vizave shtetit fqinj, por britanikët kanë konstatuar keqpërdorimin e vizave turistike për qëllime përfitimi.

SHPËRNDAJE