Shqipëria mund të involvohet në mbrojtjen e Haradinajt
Shqipëria mund t’i kërkojë Francës të hedhë poshtë kërkesën e Serbisë për ekstradim të ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, tash kur edhe zyrtarisht është qytetar i Shqipërisë.
Kështu thotë për arbresh.info avokati, Tomë Gashi, derisa shton se pas marrjes së shtetësisë dhe të pasaportës së Shqiperisë Haradinaj do të ketë edhe përkujdesjen e shtetit shqiptarë-Shqiperise.
“Shqipëria do të ketë mundësi që në rrugë ligjore ta mbrojë Ramush Haradinaj tani si qytetar të vetin dhe do të ketë mundësi ligjore që të kërkojë nga Gjykata në France që ta hudhin poshtë kërkesën për ekstradimin e Ramush Haradinaj në Serbi, tanimë duke e konsideruar z.Haradinaj qytetar të Shqipërisë,” vlerëson avokati Gashi.
Ai thotë se marrja e pasaportës së Shqipërisë për Ramush Hararadinaj është shumë pozitive, ngase Shqipëria në raport me shtetin e Kosovës është shtet shumë më i konsoliduar dhe Shqipëria ka edhe diplomat shumë të aftë dhe lidhje të ngushta miqësore me të gjitha shtetet demokratike, dhe posaçërisht me SHBA, Gjermaninë, Anglinë, por edhe me Francën.
“Që nga dita e marrjes së shtetësisë së Shqipërisë, Shqipëria ka të drejtë ligjërisht të involvohet në çdo lloj procedure në mbrojtjen e z.Haradinaj,” deklaron Gashi.
Por, sipas Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, marrja e shtetësise se Shqipërisë nga Haradinaj nuk luan asnje rol ne vendimarrjen e vendimit nga ana e Gjykatës ne France.
“Gjykata në Francë gjatë shqyrtimit të kërkesës për ekstradim merr për bazë shtetësinë Kosovare të z. Haradinaj pasi që dyshimet e paraqitura nga Serbia ndërlidhen me supozimet për krime lufte në Kosovë,” shprehet Miftaraj për arbresh.info.
Ish-kryeministri i Kosovës dhe njëherësh kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj do të dalë sot para gjykatës në Colmar të Francës, ku pritet të merret vendimi përfundimtar.
Seanca do të fillojë në orën 9 të mëngjesit, ku gjykata pritet të vendosë për rastin e Haradinajt.
Ramush Haradinaj, është ndaluar nga policia franceze më katër janar, në bazë të një urdhër- arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia nëpërmjet Interpolit.
Ai akuzohet nga drejtësia e Serbisë për krime lufte. Nisur nga këto akuza, Prokuroria Speciale e Serbisë pati paraqitur dhe kërkesën për ekstradimin e Haradinajt në Serbi./arbresh.info/