Luginë e Preshevës, 3 prill – Ashtu siç qe i informuar popullata shqiptare e Luginës së Preshevës se zgjedhjet presidenciale serbe duhet të bojkotohen plotësisht, ashtu edhe doli, ngase të dielën, ditën e votimit nuk është vërejtur as interesimi më i vogël i elektoratit shqiptar për të votuar, njofton agjencia e lajmeve “Presheva jonë”.
Ky mosinteresim i votuesve shqiptarë të Luginës, merret si arsye edhe nga fakti se asnjëri nga kandidatët presidencial serbë nuk kanë shprehur interesimin e tyre për votat e shqiptarëve dhe as që ndonjëri prej tyre e vizitoi Luginën përgjatë kësaj fushate elektorale. Edhe partitë politike shqiptare në Luginë të Preshevës, disa prej tyre s`kanë dalë me qëndrim zyrtar për dalje apo mosdalje në këto zgjedhje presidenciale serbe, thjeshtë i kanë injoruar plotësisht ato, ndërsa një qëndrim zyrtar për bojkotimin e këtyre zgjedhjeve presidenciale, e shprehën publikisht kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu dhe lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, duke e arsyetuar bojkotimin e këtyre zgjedhjeve presidenciale, ngase sipas tyre, kandidatët e mundshëm për president të Serbisë nuk kanë shfaqur aspak interesim për pozitën politike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ndaj dhe sipas burimeve shqiptare nga Lugina, ato kanë bërë të ditur se dalja në vendbanimet shqiptare ka qenë simbolike, me ç`rast në disa vendvotime elektorale kutitë e vendvotimeve kanë qenë të boshatisura. Koordinatori i zgjedhjeve për Bujanoc, Fadil Haliti ka thënë se pjesëmarrja e votuesve në këtë komunë, në krahasim me elektoratin që ka, ka qenë i vogël. “Askush nuk ka votuar në një qendër votimi në Tërnoc të madh dhe në qendrat e votimit në fshatrat Muhoc, Glamur, Dobrosin dhe Konçul”, ka bërë të ditur Haliti, në një deklaratë të tij, për media, duke hedhur poshtë propagandat e lansuara nga portalet serbe se kinse 11 votues shqiptarë të kenë votuar në fshatin Tërnoc të madh. Në komunën e Bujanocit zgjedhjet presidenciale serbe nga gjithsej 42.090 qytetarë me të drejtë vote kanë marrë pjesë 7. 384 votues. Ndërkaq, sipas Koordinatorit të i zgjedhjeve për Bujanoc, Fadil Alitit i ka thënë se rezultatet e zgjedhjeve flasin se Aleksandër Vuçiq është më i votuari në këtë komunë me 5. 571 vota. Aleksandar Vuçiq – 5. 571 vota (74.21%); Vuk Jeremiq – 622 vota (8.29%); Vojislav Sheshel – 324 vota (4.32%); Sasha Jankoviq – 229 vota (3.05%); Miroslav Paroviq – 10 vota (0.13%); Sasha Raduloviq – 57 vota (0.76%); Luka Maksimoviq – 307 vota (4.09%); Boshko Obradoviq – 148 vota (1.97%); Aleksandar Popoviq – 91 vota (1.21%); Milan Stamatoviq – 14 vota (0.19%); Nenad Çanak – 11 vota (0.15%). Kurse në Preshevë sipas burimeve shqiptare dalja ka qenë vetëm 3.6% apo e kthyer në shifra, në këtë qytet kanë votuar vetëm 1. 405 votues. Në 22 vendvotime në këtë qytet në kutitë votuese ka pasur më pak se 10 vota. “Pjesëmarrja ishte e ulët, më pak se 10 votat në kutitë e votimit ishin në fshatrat Bukuroc, Zhuincë, Norçë dhe Caravajkë, ka thënë Agim Imeri, koordinator për Preshevën. Metali Krasniqi