Një person ka vdekur dje si pasojë e një aksidenti para Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) në Prishtinë. Një veturë e ka goditur semaforin dhe i njëjti më pas ka goditur një qytetar, i cili nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Lidhur me këtë ngjarje, eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, ka analizuar faktorët që kanë mundur të dërgojnë në shkaktimin e aksidentit.
Sipas tij janë dy faktorë, i pari faktori njeri dhe i dyti faktori rrugë.
Këtë analizim Dedaj e ka bërë në emisionin “Rreth e Rrotull” në Televizionin Dukagjini, teksa ka shtuar se edhe qëndrueshmëria e semaforit duhet të jetë më e madhe.
Në aspektin teknik, atë që duhet futur në pistën e hetimeve janë faktori njeri dhe rrugë. Janë dy elemente që nuk duhet të ndahen deri në pasqyrimin total të aksidentit. Për drejtuesin e automjetit dhe ka ardhur deri tek kontakti me semafor, dhe ky i fundit ka goditur këmbësorin. Këta semafor duhet saktë me e ditë se qëndrueshmëria e tyre në bazë të goditjes me shpejtësi maksimale, duke ditur se me 40 km nuk guxojnë të kenë deformime. Edhe vendosja e tyre dhe projektimi i tyre a është marrë parasysh edhe siguria e këmbësorëve. Ekspertët e komunikacionit e bëjnë auditimin e tyre dhe vendosja e gjatësia e tyre e sigurisë dhe në qoftë se përplaset semafori, a e takon apo s’e takon vendkalimin e këmbësorëve, do të jetë edhe faktori rrugë si shkak i shkaktimit të aksidentit”, ka shtuar Dedaj.
Jeton Rexhepi, shefi i Divizionit për Komunikacionin Rrugor në Policinë e Kosovës, ka thënë se dyshimet e para të shkaktimit të aksidentit me fatalitet janë pakujdesia e shoferes.
“Sa i përket rastit të djeshit, dyshimet e para janë pakujdesia e shoferit sa i përket lëvizjes në mjet, ku fillimisht shkakton aksident tek mbrojtësit e sigurisë apo antiparkingjeve që ndalojnë lëvizjen e mjeteve dhe pastaj e godet semaforin, dhe semafori e godet këmbësorin, i cili ishte duke pritur për të kaluar rrugën. Nuk kemi të bëjmë me një shpejtësi në rrugë të drejtë, por gjysmëkthim me një shpejtësi e cila mundëson gjysmëkthim në udhëkryq”, ka shtuar Rexhepi.
Sa u përket statistikave se sa aksidente trafiku kanë rezultuar me fatalitet, Rexhepi ka theksuar se nga “muaji janar e deri më tani janë 8 raste ku kanë humbur jetën pjesëmarrësit e trafikut rrugor, ku pesë prej tyre janë këmbësorë, tre prej tyre kanë humbur jetën në rrugën urbane apo të qytetit dhe dy të tjerë në rrugë nacionale Prishtinë-Pejë, saktësisht në Bresje dhe në rrugën Prishtinë-Mitrovicë”.
Ndërsa, krahasuar me periudhën e njëjtë gjatë vitit të kaluar, Rexhepi ka shtuar se 50% ka raste më pak me persona të vdekur, ku 16 persona kanë humbur jetën krahasuar me periudhën e njëjtë që janë vetëm 8 viktima.