Presidentja Atifete Jahjaga vitin e kaluar u zgjodh presidente e vendit, vetëm për ta kaluar një krizë institucionale dhe mosshkuarje në zgjedhje të jashtëzakonshme pas shkarkimit të Behgjet Pacollit nga Gjykata Kushtetuese, por tani ajo që e nxori vendin nga kriza, duket se do ta sjellë atë aty. Lidhja Demokratike e Kosovës, është tërhequr nga Komisioni për Reformë Zgjedhore, duke paralajmëruar bllokim të proceseve.
Partia e Isa Mustafës nuk do të kthehet në komision deri në respektimin e marrëveshjes, që do të thotë – dorëheqja e presidentes Jahjaga. Por ajo nuk do ta dëgjojë LDK-në, dhe nuk do të japё dorëheqje, madje thotë se çështja e reformave është çështje e partive politike.
“Është çështje e partive politike apo subjekteve politike, nënshkruesve të marrëveshjes politike, që të gjejnë modalitetin, që të gjejnë unitetin në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Dorëheqja nuk është e paraparë as me marrëveshjen politike, e as me amendamentet e propozuara kushtetuese. Nuk është e paraparë as me reformën kushtetuese dhe zgjedhore. Unë jam e përkushtuar të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, ka thënë Jahjaga.
Por, zyrtarët qeveritarë e kanë quajtur vendim të ngutshëm daljen e LDK-së nga komisioni për reformë zgjedhore. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se nuk ka asnjë lloj krize, sepse zgjedhjet nuk janë afër, dhe ka kohë që LDK të kthehet në tryezën e bisedimeve, pasi bllokimi nuk ndihmon për çështjet për të cilat kërkohet konsensus dhe reforma zgjedhore është çështje që kërkon konsensus.
Mirëpo, me këtë konstatim nuk është pajtuar lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i cili ka thënë se nuk po e bllokojnë procesin, dhe se nuk janë tallur, por duan dorëheqjen e presidentes dhe respektimin e marrëveshjes.
“Ne nuk bëjmë bllokadë, bllokadë bëjnë ata që nuk e respektojnë marrëveshjen. Ju e keni parё se edhe z. Thaçi, para se të vendosё Gjykata Kushtetuese, ka deklaruar dy herë se zgjedhjet do të mbahen në vitin 2014. Prandaj ne ftojmë Thaçin, presidenten, por edhe Kuvendin që të respektojë marrëveshjen dhe rezolutën që është aprovuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, është shprehur Mustafa.