Flirt apo tradhti?

Vetëm një klikim apo mesazh larg, kufiri delikat mes flirtit dhe tradhtisë sa vjen dhe i rrezikon më shumë çiftet

largea_timthumb-1-php1396564497Çfarë e përcakton tradhtinë? Kur është një flirt i pafajshëm? Si të mund t’i përcaktoni kufijtë kur bëhet fjalë për ju, veçanërisht në kohën kur interneti, media sociale dhe celularët i kanë bërë tradhtitë më të thjeshta për t’u kryer?

Shpejtësia me të cilën ndodhin romancat në internet, është aq e madhe, saqë duket sikur nuk ka ndodhur vërtet. Për ata që janë në një marrëdhënie, teknologjia nuk është vetëm një mjet për përçarje, por ka shkaktuar edhe valë të mëdha xhelozie dhe paranoje. Jo vetëm që partnerët abuzojnë me besimin e njëri-tjetrit duke kryer tradhti online, por ironikisht e përdorin teknologjinë për të cenuar privatësinë e tjetrit. Nuk janë të paktë njerëzit që hyjnë në llogaritë e rrjeteve sociale të partnerit të tyre apo që spiunojnë celularët për të gjetur shenja tradhtie. Kjo, vetëm sa e rrit paranojën dhe mungesën e ndershmërisë.

Në një konferencë në vitin 2013, Erin Holley prezantoi rezultatet e një kërkimi, ku njerëzit përcaktonin tradhtinë. Studimi zbuloi që shumica e pjesëmarrësve në të, kishin konflikte. Kur u kërkuan të përcaktonin kufijtë e tradhtisë nga ana e tyre, ata u shprehën më liberalë, por kur përcaktuan ato të partnerit, pjesëmarrësit quanin tradhti gati çdo sjellje.

Për shumë të tjerë, tradhtia mbetet zbulimi i partnerit me një tjetër në shtrat. Këto perceptime të ndryshme mund të vijnë prej diferencave kulturore dhe frymës familjare ku personat janë rritur. Një nga problemet në përcaktimin e kufirit midis së drejtës dhe së gabuarës është se jo të gjitha standardet janë domosdoshmërish universale. Secili e vendos vetë se çfarë e bën të ndihet rehat në një lidhje. Më pas ai duhet t’ia komunikojë personit tjetër në çift se çfarë kërkon, por pa u përpjekur të marrë nën kontroll ndjesitë dhe mendimet e tjetrit.

Këshilla

Ja pesë rregulla që çdo person mund t’i ndjekë për të pasur një marrëdhënie me më shumë besim dhe ndershmëri.

1. Besnikëria është zgjedhja juaj

Kur vendosni në çift se do të keni një lidhje monogamike, jini të qartë se çfarë nënkupton kjo për secilin prej jush. Flisni me njëri-tjetrin për këndvështrimet që keni mbi monogaminë dhe atë që ju bën të ndiheni rehat. Sapo të jeni të vetëdijshëm se çfarë kërkoni, përkushtojuni kësaj zgjedhjeje dhe merrni përsipër përgjegjësitë tuaja. Një gabim që bëjnë zakonisht njerëzit kur mendojnë për besnikërinë, është se kjo kufizon lirinë e tyre. Atyre u duket sikur partneri po i detyron të ndjekin një mënyrë të caktuar jetese. Kjo nuk është e vërtetë, pasi besnikëria është një zgjedhje që secili e bën me vetëdije. Nëse ndryshoni këndvështrim, atëherë bëjani të ditur personit tjetër.

2. Vendosni standardet për veten në mënyrë të pavarur

Mënyra më e mirë për të ruajtur drejtpeshimin midis gjërave që duhen dhe nuk duhen bërë kur vjen fjala për lirinë individuale, është përcaktimi i standardeve jo sipas atyre të partnerit tuaj, por sipas vetes. Nëse doni që partneri t’ju trajtojë në një mënyrë të caktuar, atëherë zgjidhni tonin e duhur për t’ia bërë të qartë. Kuptoni që besnikëria tregon integritetin tuaj dhe është një cilësi që ju lartëson juve.

3. Shmangni rregullat utopike

Kur një person vendos shumë rregulla në përpjekje për të qenë sa më strikt me veten dhe partnerin, kjo ka një kosto të lartë në lidhje. Mund të ndodhë që të kufizoni më shumë sesa duhet nevojat tuaja dhe të partnerit. Sa më shumë ta shtrëngoni dikë t’ju rrijë afër, më të vështirë do ta keni ta mbani pas vetes. Lëreni tjetrin të lirë të bëjë zgjedhjet e veta, fundja ky është njeriu i vërtetë me të cilin duhet të bini në dashuri dhe jo me atë që po përpiqeni të krijoni.

4. Mos gënjeni

Për shumë kohë, na është thënë se problemi më i madh me tradhtinë është mashtrimi. Të gënjeni partnerin apo partneren mund të duket si një mënyrë e mirë për të kapërcyer problemin e çastit, por nuk e zhduk atë. Gënjeshtrat dhe mashtrimet shërbejnë vetëm për të krijuar distancë dhe mungesë besimi. Ky i fundit është shumë i vështirë për t’u ndërtuar dhe shumë herë më i vështirë për t’u rindërtuar. Mbi të gjitha mos gënjeni veten, merrni nga lidhja dhe jeta cilësitë që dëshironi.

5. Mos harroni veten

Përkushtohuni 50 për qind në një lidhje, 50 për qind duhet të përkushtohet partneri ose partnerja. Mos e lini veten pas dore, mos harroni që jeni në një lidhje për një qëllim të vetëm: të ndiheni mirë. Nëse hiqni dorë prej kësaj që të jepeni pas aspekteve të dyta të lidhjes, nuk do të mund të gjeni lumturinë e vërtetë. Eksperimentoni me kufijtë e vetvetes dhe të tjetrit që të njiheni më mirë.

SHPËRNDAJE