Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka folur lidhur me sulmin e para dy javësh në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Për këtë sulm, Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani, kanë akuzuar Serbinë.

Rohde ka thënë se deri tash nuk ka asnjë informacion të qartë për të vërtetuar identitetin e autorëve, duke shtuar se hetimet po vazhdojnë.

“Përfaqësuesja e Lartë e cilësoi këtë incident si ngjarje terroriste, të rëndë dhe tani jemi në fazën e hetimit. Nuk mendoj se duhen akuza të tilla, duhen prova. Le ta lëmë hetimin të marrë rrjedhën e tij. Të gjithë aktorët, siç thashë edhe më parë, duhet të përmbahen nga akuzat që mund të cenojnë stabilitetin dhe të shkaktojnë frikë te qytetarët. Deri më tani nuk kishte asnjë informacion të qartë për të vërtetuar identitetin e autorëve. Prandaj, duhet ta lëmë hetimin të vazhdojë”, ka deklaruar Rohde në një intervistë të përbashkët me Ambasadorin e Francës Olivier Gueraud, në RTK2.

Edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar këtë javë se është ende shumë herët që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të deklarohen se kush është përgjegjës për sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Hovenier ka thënë se ende nuk i kanë provat, por se beson se këto prova do të gjenden.

“Përkitazi me atë se çka dimë për atë që ndodhi, është ende shumë herët dhe siç e kam thënë javën e kaluar, që Shtetet e Bashkuara të jenë në gjendje të atribuojnë përgjegjësinë, duhet të kemi një varg mjaft të qartë provash. Ne mendojmë se do të gjenden prova, por ende nuk i kemi. Pra, hetimet po vazhdojnë; po kryhen nga autoritetet kosovare”, ka theksuar Hovenier.

Rohde dhe Gueraud kanë folur edhe për dialogun. Sipas Gueraud, dialogu është e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve dhe normalizimin e marrëdhënieve. Ai tha se qëndrimi i Francës dhe Gjermansië sa i përket dialogut është i njëjtë.

“Faleminderit që na ftuat të prezantojmë pikëpamjet e vendeve tona, Gjermanisë dhe Francës, të cilat ndajnë të njëjtat analiza kur bëhet fjalë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Jemi thellësisht të bindur se dialogu nuk ka alternativë dhe është e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve dhe normalizimin e marrëdhënieve. Është e nevojshme për qytetarët e Kosovës, por edhe të Serbisë, tha ambasadori Gueraud.

“Mungesa e rezultateve në dialog tregon se sa e rëndësishme është arritja e një dialogu të suksesshëm, sepse ndikon drejtpërdrejt në jetën e njerëzve në Kosovë”, theksoi ai.

SHPËRNDAJE