Ish-sekretari i FFK-së për një periudhë, avokati Taulant Hodaj ka reaguar ashpër ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj dhe shefit të tij, Baton Haxhiu, duke i akuzuar ata për manipulim të dokumenteve dhe shpifje publike. Në një postim të bërë në rrjetet sociale, Hodaj ka deklaruar se kontratat dhe dokumentet që Mehmetaj ka publikuar janë të vërteta, por se ato po përdoren në mënyrë të njëanshme dhe gjysmake për të krijuar perceptime të gabuara në publik.

Hodaj ka theksuar se në demantin e tij të dy ditëve më parë, ka dërguar edhe dokumentet origjinale që konfirmojnë ligjshmërinë e kontratave të tij me FFK-në, të verifikuara edhe nga Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK). Në postimin e tij, ai ka kërkuar nga Mehmetaj dhe mediat e tij që të respektojnë standardet e gazetarisë së paanshme, duke publikuar dokumentet e plota dhe të verifikuara.

“Unë nuk kam mohuar asgjë, por kërkoj që të respektohet e vërteta dhe të publikohen të gjitha dokumentet origjinale, të cilat konfirmojnë se nuk ka pasur shkelje disiplinore dhe as konflikt interesi, siç pretendoni ju,” ka shkruar Hodaj në postimin e tij.

Ai gjithashtu ka paralajmëruar se për shpifjet dhe akuzat e pabazuara do të sqarohet deri në detaj në gjykatë.

“Fakti që ju po e injoroni këtë nuk më befason, sepse ju dhe media juaj tashmë njiheni si shpifës dhe manipulues për interesa të grupeve kriminale të interesit. Për fyrjet dhe shpifjet e juaja, do sqarohemi deri në presjen dhe pikën e fundit në Gjykatë”, shkroi Hodaj.

“Qohuni delni në debat të tre dorë për dore, Baton, Valon, Lirim, përpara meje”, i ka sfiduar Hodaj gazetarët në fjalë.

Hodaj gjithashtu ka publikuar disa dokumente që, sipas tij, provojnë pretendimet e tij, përfshirë një kallëzim penal ndaj Lirim Mehmetajt dhe hetime për Baton Haxhiun nga autoritetet shqiptare.

SHPËRNDAJE