Është një nder dhe detyrë për çdo shqiptar të mbështesë protestën e banorëve shqiptarë të Kosovës Lindore që u mbajt në Bujanoc, kundër diskriminimit sistematik që ata po përjetojnë nga Beogradi. Motoja e kësaj proteste, “Për identitet dhe dinjitet,” duhet të jetë thirrje për çdo shqiptar që të ngrihet në mbrojtje të dinjitetit tonë kombëtar.
Është e pakuptueshme dhe e papranueshme mungesa e reagimit nga institucionet e Kosovës dhe me theks të veçantë nga Shqipëria, e cila ka një detyrim kushtetues për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që ndodhen. Kjo heshtje është e papranueshme, sidomos nga ne deputetët e Kosovës, të cilët kërkojmë votat e mijëra shqiptarëve të Kosovës Lindore që jetojnë në Kosovë, por nuk arrijmë të mbështesim ata që qëndrojnë në trojet e tyre dhe luftojnë për identitetin dhe dinjitetin kombëtar. Disa nga ne ishim edhe pjesë e uniformuar dhe aktive e UÇPMB-së, pikërisht në këtë mision, për të cilin lufta politike ende po vazhdon.
Shqiptarët e Kosovës Lindore, të cilët po qëndrojnë aty, janë heronj të vërtetë që sfidojnë çdo ditë padrejtësitë dhe diskriminimin serb, pa u joshur nga lehtësirat e propozuara nga “nusja” e tyre, Presidentja e Kosovës, për t’iu dhënë nënshtetësinë e Republikës së Kosovës, duke synuar kështu shuarjen e Kosovës Lindore, ashtu siç bëri Partia Komuniste e Shqipërisë me Çamët dhe Çamërinë.
Ata janë heronj të vërtetë që po qëndrojnë në trojet e tyre dhe po mbrojnë dinjitetin dhe identitetin e tyre kombëtar, duke u përballur me një situatë të padrejtë, jo vetëm nga politika diskriminuese dhe gjenocidiale e Serbisë, por edhe nga politikat e pa mençura dhe të rrezikshme, si teoria e reciprocitetit midis shqiptarëve autoktonë në trojet e tyre në Kosovën Lindore dhe qytetarëve serbë kolonë të sjellë në veri të Kosovës, në emër të balancimit ndëretnik me Qarkun e Kumanovës, gjatë regjimit jugosllav të Rankoviçit në vitin 1956. Kjo teori e reciprocitetit, megjithatë, solli përfitime për pretendimet serbe për “zajednicën” me kompetenca ekzekutive dhe elemente shtetësie në marrëveshjet e vitit 2023, ndërsa kur bëhet fjalë për shqiptarët autoktonë në trojet e tyre, për qeveritarët e Kosovës mbeti një frazë boshe, ndërkohë që ndaj qytetarëve serbë kolonë në veri të Kosovës, trajtimi është krejtësisht ndryshe.
Në këtë moment të rëndësishëm dhe në vazhdimësi, zëri ynë politik dhe kombëtar duhet të jetë i fuqishëm dhe i qartë në mbështetje të banorëve shqiptarë të Kosovës Lindore, të cilët po mbrojnë me dinjitet të drejtat e tyre dhe të të gjithë shqiptarëve.