Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka ripërsëritur edhe një herë gatishmërinë e tij për të biseduar me serbët e veriut, për t’i zgjidhur të gjitha problemet të cilat janë grumbulluar në atë pjesë tash e 12 vite, por sqaroi se në asnjë mënyrë nuk do të komunikojë me strukturat ilegale dhe kriminale, pasi që ato do të përballem me drejtësinë.

Deklaratat e kryeministrit dhënë ditë më parë se është i gatshëm të takohet dhe të bisedojë me serbët e veriut, nga opozita janë konsideruar si një “njohje e Serbisë brenda Kosovës” nga ana e kryeministrit Thaçi.

Shefi i Qeverisë vlerësoi se është obligim kushtetues dhe ligjor që si kryeministër i vendit të komunikojë me qytetarët e vendit pa dallime etnike. Ai rishprehu këtë gatishmëri për të biseduar me serbët e veriut, por jo me strukturat ilegale dhe kriminale për çka është kritikuar nga opozita.

“Qytetarët atje kanë nevojë më tepër për një jetë më të sigurt, krijimin e vendeve të reja të punës, për mirëqenie sociale se sa për politikë mashtruese të Beogradit. Do të përpiqemi maksimalisht me të gjitha kapacitet tona, që të vazhdojmë të komunikojmë me qytetarët në veri. Komunikimi është rruga e vetme për fillimin e zgjidhjeve të problemeve të grumbulluara tash e 12 vite, por në asnjë rrethanë me strukturat ilegale dhe kriminale. Ato do të përballen me drejtësinë. Strukturat ilegale dhe kriminale do të përballen me drejtësinë, atje nuk ka përfaqësues legal, ka përfaqësues ilegal”, ka thënë ai.

Kryeministri tha se do të përpiqet maksimalisht të jenë sa më pranë qytetarëve, duke përfshirë edhe ata serbë. Sipas tij, në veri do të ketë rend dhe ligj, lëvizje të lirë të qytetarëve dhe se Qeveria edhe në të ardhmen do të investojë më tepër atje, me qëllim që të ndryshojë jetën e qytetarëve në atë pjesë.

“Ne do të përpiqemi maksimalisht që të jemi sa më pranë tyre, në mesin e tyre t’i sqarojmë procesin që po kalojmë. Të drejtohen nga Prishtina dhe të largohen nga mashtrimi 12 vjeçar, që i ka bërë Beogradi atyre qytetarëve, sepse duam të ndryshojmë jetën e tyre, për të mirë siç kemi bërë ndryshime edhe në vendet tjera ku kanë jetuar me shumicë serbet”, është shprehur ai.

SHPËRNDAJE