Tifozat Kuq e Zi, që njihen edhe si tifozët zyrtarë të Kombëtares Shqiptare të futbollit, e kanë realizuar sot një aksion para zyrave të Federatës Shqiptare të Futbollit, përmes së cilit e kanë kundërshtuar ashpër aplikimin e shtëpisë së futbollit shqiptar së bashku me Federatën Serbe të Futbollit për organizimin e Kampionatit Evropian të vitit 2027 për grupmoshat U-21.
Tifozët Kuq e Zi i kanë lyer rrethojat e FSHF-së me ngjyrë të kuqe, duke e kujtuar gjakun që është derdhur në Kosovë, ndërsa kanë vendosur edhe fotografi, ku shihen vuajtjet e popullit shqiptarë të Kosovës dhe gjenocidin e bërë nga okupatori serb, për t’ua kujtuar drejtuesve të FSHF-së se me kë kanë të bëjnë dhe se me kë dëshiron të bashkëpunojë presidenti i saj, Armand Duka.
“Kundërshtojmë çdo nismë që mundohet ti rregulloj imazhin një populli barbar e gjenocidal. Kundërshtojmë çdo bashkëpunim me vrasësit me ata që shkaktuan me qindra masakra ndaj shqiptarëve dhe që deportuan me miliona nga shtëpitë e tyre gjatë gjithë historisë”, kanë shkruar tifozët e Kombëtares, teksa e postuan një video në rrjetet sociale.
Vendimi i FSHF-së është pritur me plot habi nga shqiptarët anembanë botës, ndërsa nuk kanë munguar reagimet e ashpra të figurave të ndryshme, por edhe të tifozëve shqiptarë në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.