Dy ekskavatorëve iu kanë dashur vetëm një orë për ta rrënuar murin e ndërtuar në Mitrovicën e veriut. Derisa u tha se nuk do të ketë mure në atë pjesë, është paralajmëruar edhe hapja e urës që lidhë jugun dhe veriun.

E para që doli për t’i vëzhguar punimet ishte shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalija Apostollova, e cila tha se ky është një moment i rëndësishëm për Mitrovicën dhe qytetarët e saj, derisa ka shtuar se së shpejti do të formohet edhe Asociacioni i Komunave Serbe.

Apostollova: Shpresoj që palët të vazhdojnë me zgjidhjen e problemeve 

“ I përgëzoj të dyja palët për mençurinë e treguar, për mençurinë e lartë politike, përmbajtjet,  për përpjekjet e tyre intensive, të cilat sollën këtë moment. Mendoj që është një shenjë shumë e mirë  e cila tregon se kur ekziston dëshira, të dy palët arrijnë  marrëveshje, dhe shpresoj që me të njëjtën zgjuarsi politike do të vazhdojnë  të zgjedhin edhe probleme të tjera që mund të ndodhin në një të ardhme të afërt, dhe ne do t’i mbështesim. Jam duke u përpjekur me të njejtin përkushtim rreth bisedimeve me minoritetin serb,  për themelimin Asociacionit të Komunave me shumicë  serbe dhe nga që ky problem është zgjidhur, mendoj që do të kemi një rezultat të mirë”, ka thënë ajo.

Ajo ka falënderuar edhe partnerët ndërkombëtarë, me theks të veçantë ata amerikanë, për gatishmërinë ndaj shmangies së ndonjë incidenti të mundshëm.

Apostollova: Hapja e urës do të ndodhë shumë shpejt

“Hapja e urës do të ndodhë kur procedurat e nevojshme të kenë përfunduar. Ju premtoj që hapja e urës do të ndodhë shumë shpejt dhe do të jetë sheshi  më i mirë në Kosovë. Ju siguroj që nuk do të ketë mure të tjera, por do të ketë vetëm struktura të nevojshme për të penguar qarkullimin e automjeteve rreth tij. Kjo do ta bëjë vendim më të mirë dhe projektin tonë më të mirë në Kosovë”, ka thënë Apostolova.

Kurse, qytetarët kanë mirëpritur rrënimin e murit, duke thënë se duan një unitet në mes të komuniteteve në Mitrovicë. Radosav Bojiq tha se dëshiron jetojnë siç kanë jetuar dikur të gjitha komunitetet së bashku.

Bojiq: Muret fare nuk më interesojnë

“Unë dëshiroj të jetë këtu njëjtë sikur ka qenë përpara, shqiptarët bashkë me malazezët dhe të gjithë të tjerët, të ketë unitet si përpara. ndërsa sa i përket murit, muret fare nuk më interesojnë”, tha ai.

Mehdi Haxha nga jugu i qytetit, ka thënë se është një sukses i pa diskutueshëm i institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat janë zotuar që muri do të rrëzohet dhe qytetarët e Mitrovicës do të ketë paqe dhe lëvizje të lirë.

Haxha: Nuk është e çuditshme rrëzimi i këtij muri

“Për neve nuk është e çuditshme rrëzimi i këtij muri për shkak se ka një muaj e më tepër që institucionet e Kosovës kanë vendosur, para Kuvendit të Kosovës, janë zotuar që ky muri do të rrëzohet, do të jetë në nivelin zero”, tha ai.

Përndryshe, përveç numrit të shtuar të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe numrit të madh të mediave, pati interesim të madh të qytetarëve për ta parë rrëzimin e murit. Derisa, ata të veriut u lejuan, qytetarët e jugut nuk u lejuan t’i ofrohen vendit ku rrënohej muri.

SHPËRNDAJE