Metali Krasniqi
Gjilan, 15 prill – Në një debat të zhvilluar, të shtunën, në mes Lëvizjes Qytetare “Vatra” dhe qytetarëve nga Malësia e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës, me ç`rast kishin pasur një diskutim të frytshëm dhe njëherësh 25 intelektualë nga Malësia e Bujanocit dhe vendet tjera, kanë aderuar në këtë Lëvizje Qytetare Vatra, për të ofruar duke u zotuar edhe kontributin e tyre të parezervë në këtë Lëvizje, e cila mbron ndershëm interesat e luginasëve në Kosovës, ka theksuar në këtë debat, Kushtrim Kadriu, njofton agjencia e lajmeve “Presheva jonë”.

Lëvizja Qytetare “Vatra”, ka diskutuar me qytetarë nga Lugina e Preshevës, tema të cilat i preokupojnë këta qytetarë të cilët kanë rreth dy dekadash që jetojnë në Kosovë. Ndonëse, shumë asamblistë komunalë dhe politikanë në Kosovë, tashmë e 18 vitesh më parë kanë fituar mandate me votat e luginasëve, këta asamblistë komunalë asnjëherë gjatë disa mandateve të tyre, nuk e kanë ngritur zërin për qytetarët e dëbuar nga Lugina e Preshevës. Mbase, qytetarët nga Lugina e Preshevës janë mbushur mend dhe janë vetëdijesuar që në zgjedhjet lokale të nëntorit, ata të cilët kanë të drejtë vote, votën e tyre ta koncentrojnë drejtë Lëvizjes Qytetare Vatra, në mënyrë që të faktorizohen luginasit politikisht në Kosovë, e veçanërisht në qytetin e Gjilanit, ku edhe janë shumicë. Grupe të ndryshme të qytetarëve nga Malësia e Bujanocit, vullnetarisht janë duke aderuar radhëve të Lëvizjes Qytetare Vatra, me një gatishmëri të parezervë të kontribuojnë në Lëvizjen Qytetare Vatra dhe njëherë e mirë të zgjidhen problemet politike të luginasëve në Kosovë. Probleme për të cilat tashmë e 18 vitesh më parë janë gënjyer e zhgënjyer nga të gjitha subjektet politike në vend. Tanimë luginasit janë bashkuar dhe do të vendosin vetë për fatin e tyre në këtë vend. Nuk do të lejojnë të na ndajnë e copëtojnë votuesit, dhe këtë nuk jemi duke e thënë vetëm ne por, çdo familje e Malësisë së Bujanocit dhe e Luginës në përgjithësi. Këtë e dëshmon fakti se çdo ditë kemi dhjetëra aderime dhe grupe vullnetare të cilët janë duke na u ofruar vetëm me të njëjtin qëllim, faktorizimin politik dhe përmes kësaj fitimin e të drejtave të shkelura ndër vite në Kosovë, ka theksuar në fund të debatit, Kushtrim Kadriu, kryetar i Lëvizjes Qytetare “Vatra”.

SHPËRNDAJE