Për shkak të lidhjeve të afërta familjare me Jugosllavinë dhe Serbinë, sipas medieve serbe, Dienstbier me dëshirë dhe i gatshëm pranoi që në vitet 1998-2001 të jetë raportues për të drejtat e njeriut në ish-Jugosllavi.
Pragë, 8 janar – Në kryeqytetin e Çekisë ka vdekur Jiri Dienstbier, ish-disident çekosllovak, ish-shef i diplomacisë çekosllovake dhe raportues për të drejtat e njeriut në ish-Jugosllavi. Bashkëshortja e tij ka njoftuar agjencinë QTK që ai ka vdekur në moshën 73-vjeçare në spital, pas një sëmundje të gjatë. Deri në momentet e fundit megjithatë ai ka qenë aktiv. Së fundi ishte senator i pavarur, i përkrahur nga Partia Social-Demokratike e Çekisë që është në opozitë, por ka qenë edhe kryetar i Këshillit për Politikë të jashtme, mbrojtje dhe siguri. Regjimi totalitar në Çeki e ka burgosur për shkak të aktivitetit në Komitetin disident për mbrojtjen e të ndjekurve padrejtësisht nga viti 1979 deri në vitin 1982. Ka bashkëpunuar ngushtë me Vaclav Havelin në Lëvizjen disidente “Karta 77” dhe ka qenë dy herë zëvendës i tij më 1979-1985. Ai bashkë me Havelin ishte një nga udhëheqësit e Revolucionit të vitit 1989, ndërsa në qeverinë e re demokratike pas rënies së komunizmit është emëruar si shefi i parë i diplomacisë çekosllovake. Për shkak të lidhjeve të afërta familjare me Jugosllavinë dhe Serbinë, sipas medieve serbe, Dienstbier me dëshirë dhe i gatshëm pranoi që në vitet 1998-2001 të jetë raportues për të drejtat e njeriut në ish-Jugosllavi. Dienstbier është i njohur nga Kosova dhe shqiptarët si serbofil për shkak kundërshtimit të bombardimit të Serbisë më 1999, si dhe, siç shkruajnë mediet serbe, kundër shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës.