Granit Xhaka është njëri prej ambasadorëve më të mirë shqiptarë në botë.

Ndonëse nuk merret me politikë, por i takon botës së sportit, ylli i Bayer Leverkusenit i ka bërë shqiptarët shpesh të mburren me paraqitjet e tij dhe me shenjat që i ka dhënë përmes gjesteve, duke mos e harruar asnjëherë prejardhjen e tij.

Ish-futbollisti i Baselit, Borussia Monchengladbachut dhe Arsenalit, e ka konfirmuar këtë edhe në një video të publikuar në Facebook nga babai i tij, Ragipi.

Mesfushori kualitativ në një video direkte në Tik Tok deklaron me shumë mburrje që është shqiptar, me babë e babëgjysh.

“Gjakun tim nuk e harroj kurrë”, thotë ndër të tjera përfaqësuesi zviceran, i cili ndërkohë e falënderon Zvicrën për gjithçka që i ka dhënë dhe mundësinë për të arritur deri këtu.

“Jam shqiptar me babë, me babëgjysh e me gjak”, shton 31 vjeçari, i cili po shkëlqen në fanellën e Leverkusenit pas rikthimit të tij në Bundesligë.

Xhaka e ka formuar shqiponjën dykrenore pasi kishte shënuar gol ndaj Serbisë në Botërorin e Rusisë, ndërsa ishte protagonist në përballje me serbët edhe në Botërorin e fundit.

Pa dyshim, ai është krenari e Kosovës, por edhe e krejt shqiptarëve anembanë botës.

SHPËRNDAJE