Londër, 25 qershor –

Shkencëtarët në Uells të Britanisë kanë bërë një zbulim të rëndësishëm drejt zgjidhjes së misterit të gurëve të famshëm të vendosur në formë qarku dhe të njohur me emrin Stonehenge. Nëpërmjet teknologjive të reja, ata kanë provuar me precizitet origjinën e disa prej gurëve të këtij monumenti. Zbulimi i tyre ka ngjallur debate rreth pikëpyetjes tjetër të madhe: si u transportuan këta gurë dhe si u vendosën ata në formën e rrethit, raporton VoA.

Stonehenge është një monument antik që ngrihet madhështor në Pllajën Sallsberi, në jugperëndim të Anglisë. Se ku u morën këta gurë dhe si u transportuan atje mbetet ende enigmë.  I ndërtuar rreth vitit 3100 para Erës së Re, origjina dhe qëllimi i tyre mbeten temë debati në gjithë botën.

Në Muzeumin Kombëtar të Uellsit në Kardif po bëhen disa ekzaminime që mund të ndihmojnë zgjidhjen e këtij misteri historik. Me precizitet dhe durim, Dr. Riçard Bevins analizon me mikroskop një mostër që është marrë nga ky monument mistik 5000 vjeçar. Dr. Bevins thotë se vendosja e disa prej gurëve, tashmë është e njohur.

“Stonehenge është i përbërë nga një qark i jashtëm, një i brendshëm dhe një patkua brenda tij. Gurrët e qarkut të jashtëm janë nga zona e Stonehenget, Pllaja  Sallsberi”.

Në vitet 1920, shkencëtarët studiuan origjinën e gurëve të tjerë, të njohur si Blustons dhe konkluduan se ato vinin nga një zonë e papërcaktuar e Kodrave Presli në Pembrokshajër të Uellsit Perëndimor, 240 kilometra nga Stonehenge. Mbetet ende e paqartë se si janë transportuar këta gurrë kaq të rëndë, nga një distancë kaq e madhe, në periudhën e qytetërimit antik.

“Këta gurë që formojnë qarkun e brendshëm dhe patkuan, Blustons, peshojnë dy deri në tre tonë.  Edhe këta janë gurë shumë të mëdhenj për t’u transportuar nëpër zonat rurale, nëse janë lëvizur nga njerëzit”.

Një zbulim i veçantë po e ndez edhe më shumë debatin se si arkitektët e Stonehenget i transportuan materialet e ndërtimit nga Uellsi në jugperëndim të Anglisë. Dr. Bevins dhe ekipi i tij i shkencëtarëve kanë krahasuar mostrat nga Stonehenge me ato të Kodrave Presli dhe kanë zbuluar origjinën e tyre të saktë. Ata e realizuan këtë duke shfrytëzuar teknologjitë e reja për të analizuar dhe krahasuar përbërjen minerale të gurëve.

Dr. Nik Pirsi, gjeokimist në Universitetin Aberstuith, po në Uells, u mor me analizat e kristaleve të zirkonit që gjenden në mostrat e gurit. Ai përdori teknikën e tij të re me rreze laser për të avulluar kristalet në mënyrë që të ekzaminonte strukturën e tyre kimike.

“Kemi marrë mostra shumë të holla të gurit, ku kemi diktuar praninë e zirkonit që duam të analizojmë, i kemi vënë në (glazer abrasion ISO PMS system) sistemin e ashpër ISO PMS dhe i kemi goditur me një rreze të fuqishme laser.  Masa e kthyer në gjendje të gaztë kalohet në një spektrometër masiv dhe ne analizojmë komponentet kimikë të mineralit”.

Kështu shkencëtarët kanë përcaktuar përbërjen kimike të gurëve dhe kanë provuar origjinën e atyre që janë përdorur për të ndërtuar një pjesë të Stonehenget. Zbulimi i origjinës së gurrëve sfidon gjithashtu teoritë se si ndërtuesit e Stonehenget transportuan materialet në Pllajën Sallsbery.

“Mendohej se gurët ishin transportuar nga njerëzit nëpër Kanalin Bristol dhe ishin ngarkuar në trape në Milford Hevën. Por përcaktimi i vendit ku janë marrë gurët e ndryshon shpjegimin teorik të trasportimit të tyre”.

Mendohet se gurët janë transportuar nëpërmjet një rruge tjetër prej 16 kilometrash në perëndim deri në bregdetin e Uellsit dhe prej andej në Pllajën  Sallsberi në Angli. Por kjo teori duhet provuar tani nga arkeologët. Këto zbulime të reja i sjellin njerëzit e mahnitur nga ndërtimi i Stonehenget, një hap më pranë zbërthimit të misterit të tyre.

SHPËRNDAJE