Qeveria ka miratuar financimin prej 2.59 miliardë CHF për pastrimin në shkallë të gjerë të një depoje të vjetër municioni në Alpet e Bernes, transmeton albinfo.ch.
Paratë për operacionin e pastrimit tani do të shkojnë në Parlament për t’u debatuar nga dy dhomat, tha qeveria.
Vendimi për të pastruar ish-stokun e armëve në Mitholz u mor në vitin 2020, pasi ekspertët zbuluan se 3,500 tonë municione dhe eksplozivë të depozituar në vendin nëntokësor përbënin një rrezik më të madh nga sa supozohej më parë.
Operacioni, i vendosur të zgjasë mbi dy dekada, nuk është aspak i thjeshtë: rreth 50 njerëz që jetojnë afër zonës do të duhet të largohen nga shtëpitë e tyre deri në vitin 2025, për kohëzgjatjen e pastrimit. Ka gjithashtu komplikime të lidhura me gjeologjinë dhe infrastrukturën në rajon.